Ilir Hoxholli: Islami në Shqipëri po krijon një identitet

Teksa foli për Islamin në Shqipëri në emisionin “I Ftuari” të Endri Xhafos, ish-kryetari i Komunitetit Shtetëror të Kulteve, Ilir Hoxholli, u shpreh se ka 3 apo 4 vite që në vendin tonë po krijohet një identitet.

Ai foli edhe për ri-islamizimin e Shqipërisë pas viteve ’90, të cilin e ndan në dy faza.

“Islami në Shqipëri ka rreth 3 apo 4 vite që po krijon identitetin e tij. Ri-islamizimin e Shqipërisë pas viteve ’90 do ta ndaja në dy faza. Tani e shoh shumë të mirë. Në fillim erdhi bashkë me traditën e vendeve arabe. Për shkak të formimit të elitave, por edhe për shkak se njerëzit erdhën nga bota arabe për të sjellë Islamin në Shqipëri. Për mua, termi më i gabuar ndaj Islamit, ç’ka e ul atë në nivelin njerëzor, është ai kur e ndajmë në modern apo të rinovuar.

Islami është një. Nëse ti e merr Islamin si dogmë, nuk plotësohesh me të, por nëse t’i e sheh atë si sistem jetese, atëherë je në rregull. Në rast se gotën e ujit do ta mbushim direkt nga burimi… se çfarë deviacionesh ka marrë Islami në të gjitha vendet. Të gjithë mundohen ta marrin ujin te burimi dhe thonë se ne jemi të vërtetët. Unë nuk pranoj të jem pjesë në asnjë rrymë. Islami është shumë më i gjerë. Të gjithë mund të thonë të vërtetën, por fshehin një pjesë tjetër të saj. Gjatë rrugës, kthehet në interesa. Dikush do të mbajë pushtetin, dikush… Ne kemi edhe sot njerëz që nuk kanë fare lidhje me Islamin dhe e interpretojnë Kuranin në mënyra të ndryshme”, u shpreh Ilir Hoxholli.

Më tej, ish-kryetari i Komunitetit Shtetëror të Kulteve u pyet edhe për zgjedhjet për kreun e Komunitetit Mysliman Shqiptar. Hoxholli shprehet se është përfolur për përplasje, por më tej thekson se Bujar Spahiu mund të jetë një zgjedhje konsensuale.

“Është përfolur një përplasje mes pjesës së Erdoganit dhe grupit të Fethullah Gülen. Nuk kemi pasur rryma të tjera, pasi ato tashmë thyajse janë inegzistente. Flitej për një përplasje të dy rrymave. Komuniteti Mysliman krijon gjithmonë debat në zgjedhje, por kjo tregon se aty ka një lloj demokracie. Në vende të tjera zgjidhen, emërohen dhe nuk ka fare debate të tilla. Këtu ka një lloj shkalle ku arrihet, përçohet, një lloj mendimi. Sigurisht, nuk mund të themi që është e përkryera. Personi që është zgjedhur në krye të Komunitetit ka mbaruar në Egjipt dhe mendoj se duhet të jetë kandidaturë konsensuale”, u shpreh Hoxholli.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN