Reshje bore dhe ngricë në “Shtetin e Diellit” – A2

Reshje bore dhe ngricë në “Shtetin e Diellit”

Pamje të rralla vijnë nga Australia, e përfshirë nga bora dhe ngrica deri në zonën subtropikale të Queensland. Zyra meteorologjike e Australisë e përshkroi këtë si një fenomen të pazakonte, duke kujtuar se shteti nuk ka përjetuar reshje të ngjashme bore që prej vitit 2015.

Të shumtë ishin ata që komentuan në rrjetet sociale, pamjet e ardhura nga i ashtuquajturi “Shteti i Diellit”. Temperatura të acarta u regjistruan të martën dhe një shtresë bore prej gati 5 cm mbuloi rajonin e Maleve Blu, në perëndim të Sidneit. Qarkullimi u paralizua dhe shumë rrugë u mbyllën. Paralajmërime për kushte të këqija të motit janë ngritur gjithashtu për një zonë bregdetare prej 1000 km, ku përfshihet edhe Sidnei.

Qytetarët janë udhëzuar të qëndrojnë në shtëpi, për shkak të stuhive me reshje të dendura dhe erëra të forta. Shërbimi i trageteve në portin e Sidneit u pezullua për shkak të kushteve të vështira. Fillimi i sezonit të dimrit në Australi, vjen pasi vendi përjetoi verën më të nxehtë në histori, shoqëruar me evente të tjera ekstreme si thatësi, përmbytje dhe zjarre masive. Sipas një sondazhi, australianët janë më të shqetësuar se kurrë në dekadën e fundit, për ndryshimet klimatike.

Shkarkoni aplikacionin e A2