75 vjetori i D-Day, liderët përkujtojnë të rënët e Luftës së Dytë Botërore

Ceremonia përkujtimore e 75-vjetorit të D-Day bëri bashkë disa nga liderët më të rëndësishëm perëndimorë në Portsmouth të Britanisë. Nga presidenti amerikan Donald Trump që gjendej për vizitë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar, tek presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelarja gjermane Angela Merkel e deri tek Mbretëresha Elizabeth, nderuan të rënët e Luftës së Dytë Botërore dhe vlerësuan aleancën mes vendeve.

“75 vite më parë qindra mijëra ushtarë të rinj, marinarë dhe pilotë u larguan nga këto brigje për të kërkuar liri. Shumë prej tyre nuk u kthyen kurrë, por heroizmi, guximi dhe sakrifica e tyre, nuk do të harrohen”, tha Mbretëresha Elisabeth.

Macron dhe May zgjodhën të nderonin të rënët duke lexuar disa nga letrat e tyre.

“Lamtumirë. Vdekja po më thërret. Nuk dua që sytë e mi të mbulohen dhe as trupi të lidhet. Iu puth të gjithëve. Edhe kështu, është shumë e vështirë të vdesësh. 1 mijë puthje. Lavdi Francës!”, shkruhej në letrën e një ushtari të rënë, që lexoi presidenti francez, Macron.

“Mendimet e mia në këtë të shtunë janë me të gjithë ju. Ju imagjinoj në kopësht duke pirë çaj me Xhejmin dhe Anën, duke i bërë gati për gjumë. Pavarësisht se do të jepja gjithçka që të kthehesha te ju, unë nuk do të dorëzohem nga detyra që kam”, lexoi në letrën e ushtarit hero kryeministrja May.

Ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump lexoi një lutje të Ruzveltit.

Gjatë ceremonisë përkujtimore, disa avionë britanikë dhuruan spektakël në Portsmouth, ndërsa liderët takuan dhe biseduan me veteranët e luftës.

Shkarkoni aplikacionin e A2