Balla: Kërkesat e PD nuk mund të merren në konsideratë

Brenda Parlamentit gjerman, e madje vetë grupimit të Partisë Kristiandemokrate, ka ide të ndryshme lidhur me hapjen, apo jo, të negociatave më Shqipërinë, ndërsa Qeveria gjermane ende nuk ka dalë me një opinion zyrtar.

Megjithatë, në një intervistë për “Deutsche Welle”, Kryetari i grupit parlamentar të  Partisë Socialiste të Shqipërisë, Taulant Balla, u shpreh i bindur që negociatat do të çelen brenda këtij viti. “Unë besoj që dita jonë e Pavarësisë, 28 nëntori i këtij viti, do ta gjejë Shqipërinë me një Reformë Zgjedhore gjithëpërfshirëse. Nuk kam gjetur një deputet të vetëm të Parlamentit gjerman që të mirëkuptojë vendimin vetë asgjësues të PD për t’u larguar nga Parlamenti”, tha Balla.

Ai shprehu edhe një herë gatishmërinë e shumicës për t’u ulur në tryezë me opozitën, por pa kushte. “Ne gjithmonë kemi qenë të hapur për dialog, pa qenë nevoja e miqve tanë gjermanë për të na ulur në tavolinë. Jo pa qëllim, Kryeministri Rama, në 7 letra publike, 6 ia drejtonte zotit Basha dhe 1 demokratëve, për t’i kërkuar që në aspiratën për t’u anëtarësuar në BE të jemi bashkë, por kjo nuk ka qenë e mundur pasi lidershipi i PD vazhdon qasjen kundër reformës në drejtësi dhe zhvillimeve, duke artikuluar kërkesa që në asnjë rast nuk mund të merren në konsideratë nga ana jonë”, shtoi Balla.

Shkarkoni aplikacionin e A2