Dialogu Kosovë-Serbi, Palmer: Nuk vendosim afate apo vija të kuqe

“Nuk vendosim afate apo vija të kuqe në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, por kjo nuk do të thotë se të gjitha mundësitë janë të hapura”. Ky ishte mesazhi që përcolli zv.ndihmës sekretari amerikan i shtetit Mathew Palmer në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Sipas tij dialogu duhet të rinisë sa më shpejt. “Ne nuk po vendosim vija të kuqe në procesin e negocimit, për gjëra që palët nuk duhet të diskutojnë. Është në dorën e vetë palëve që të gjejnë rrugën për të lëvizur përpara, me mbështetjen tonë. Por, kjo gjithashtu nuk është një “çek i bardhë”. Ajo çfarë ne do të dëshironim të shikonim është një marrëveshje me autorësi lokale, një marrëveshje të qëndrueshme, të drejtë dhe të zbatueshme”, deklaroi zyrtari i lartë amerikan.

Palmer shtoi më tej se Shtetet e Bashkuara mbështesin heqjen e taksave ndaj produkteve serbe, si një mënyrë për t’iu rikthyer dialogut.

“Ne besojmë se interesat e Kosovës shërbehen më mirë me arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Beogradin dhe për të arritur marrëveshjen, ata duhet të kthehen tek dialogu dhe për të arritur tek dialogu, është e rëndësishme që tarifat të eliminohen si një pengesë për përparim”, shtoi Palmer.

I pyetur nëse Shtetet e Bashkuara do të marrin një rol më të rëndësishëm në dialogun mes dy vendeve, Palmer theksoi se Uashingtoni do të mbetej një mbështetës i procesit të udhëhequr nga BE.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN