Përgjimet e publikuara nga “Bild”, Manja: Të hetohen ata që çojnë dosjet në zyrat e PD-së

Deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja, doli në një deklaratë për mediat pas përgjimeve të publikuara nga prestigjiozja gjermane “Bild” mes Astrit Avdylajt, pjesë e grupit kriminal të Shijakut, me kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, por edhe zyrtarë të tjerë të administratës në Qarkun e Durrësit.

Sipas tij, prokuroria “duhet të hetojë personat e përfshirë në dosjen 339, por edhe brenda vetes të gjithë ata prokurorë dhe oficerë të Policisë Gjyqësore të cilët e kanë braktisur misionin e tyre kushtetues dhe kanë çuar dosjet në zyrat e PD-së”.

“Sot u bënë publike disa materiale përgjimi nga dosja 339 që aktualisht është në hetim. Nuk jam i shqetësuar për fatin e personave emrat e të cilëve përmenden në atë dosje, por jam i shqetësuar për dy gjëra: e para, agjencitë e zbatimit të ligjit (prokuroria dhe Policia Gjyqësore) duhet të vlerësojnë seriozisht çështjet e daljes në publik të sekretit hetimor dhe të kthehen në hullitë e zbatimit të ligjit, jo vetëm për të hetuar personat e përfshirë në dosjen 339, por edhe brenda vetes të gjithë ata prokurorë dhe oficerë të Policisë Gjyqësore të cilët e kanë braktisur misionin e tyre kushtetues dhe kanë çuar dosjet në zyrat e PD-së. Kjo është thyerje e rëndë e sekretit hetimor. Kjo është vepër penale e dënueshme”, u shpreh Manja.

Më tej, kreu i Komisionit të Ligjeve theksoi se në këto përgjime nuk është folur për vota.

“Nuk kam dëgjuar në këto materiale të flitet për vota, lekë ose leje. Por, nëse ka krim elektoral brenda, prokuroria ta çojë hetimin deri në fund dhe të vërë përpara përgjegjësisë këdo që ka shkelur ligjin penal. Të mos mbarset mjedisi politik me të pavërteta apo gjysmë të vërteta që çojnë në destabilizimin e vendit. Është bërë normë që i serviren opinionit publik nëpër portale të ndryshme anonime që kërkojnë ta spostojnë vëmendjen nga problemet reale”, deklaroi Manja.

Shkarkoni aplikacionin e A2