Përgjimet në “Bild”, bashkëpunimi i kryebashkiakut Dako me Avdylajt për blerje votash

Tabloidi gjerman “Bild” publikoi përgjimet mes Astrit Avdylajt, pjesë e grupit kriminal të Shijakut, me kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, por edhe zyrtarë të tjerë të administratës në Qarkun e Durrësit.

Nga bisedat e zbardhura diskutohet për votat që duhet t’i shkojnë Partisë Socialiste, kërcënimet me heqje nga vendi i punës për ata që votojnë kundër, por edhe probleme të cilat zgjidhen me ndërhyrjen e zyrtarëve dhe kryebashkiakut.

Në njërin prej përgjimeve me përgjegjësin e Ujësjellës-Kanalizimeve Shijak, Ivo Doçin, bosi i grupit të Shijakut i kërkon listën e punonjësve, që, sipas tij, janë mbështetës të PD-së, të cilët përmes presionit të vendit të punës duhet të votojnë për PS-në. 

Në një tjetër përgjim, sërish Astrit Avdylaj i kërkon kryetarit të Bashkisë së Durrësit që të mbarojë punë tek Hipoteka për Vath Allën, të dënuar më parë për vrasje. 

Nga bisedat e përgjuara del se Avdylaj ia del që të përfshijë dhe Ilir Ndraxhin si kandidat në listat e PS-së. Si një sigurues votash për Partinë Socialiste, Avdylaj kërkon edhe favore. Ai telefonon kryetarin e PS-së për Shijakun, Elton Arbana, që është aktualisht kandidat për kryebashkiak. Me një ton të irrituar, ai i thotë Arbanës se INUK po i vendos gjoba disa njerëzve në Sukth dhe se duhet t’i ndalojë ato.

Shkarkoni aplikacionin e A2