“Përgjimet”, PD: Heshtja dhe përdorimi politik i Prokurorisë s’e shpëtojnë Ramën

Partia Demokratike ka reaguar zyrtarisht pas deklaratës së Prokurorisë për rastin e publikimit të përgjimeve të dosjes 339 nga gazeta gjermane “Bild”.

PD vlerëson se heshtja dhe përdorimi politik i Prokurorisë për të kërcënuar mediat, nuk e shpëtojnë dot Edi Ramën për të mbuluar krimin e blerjes së pushtetit.

“Edi Rama urdhëron shantazhimin dhe kërcënimin ndaj gazetës gjermane “BILD” dhe mediave shqiptare që nxorrën në dritë krimin zgjedhor. Arta Marku dhe Donika Prela, janë e njëjta dorë kriminale, pjesë e të njëjtit grupi të strukturuar kriminal që vjedh votat, dhunon votuesit, manipulon hetimet, dhe kërcënon mediat. Edi Rama, përfituesi nga blerja e votave prej bandës së Avdylajve kërkon të blejë kohë, duke urdhëruar prokurorinë e kontrolluar prej tij, të artikulojë teza të rrezikshme për demokracinë në vend dhe lirinë e medias”, thuhet në deklaratën e Partisë Demokratike.

PD, në deklaratën e saj, shkruan se Edi Rama tashmë është një kryeministër ilegjitim dhe askush nuk e shpëton dot.

“Edi Rama është një Kryeministër ilegjitim, që e ka shndërruar Partinë Socialiste në një strukturë të kriminalizuar, në shërbim të pushtetit të tij personal. As heshtja, as përdorimi i Prokurorisë, nuk i jep dot më shumë jetë kufomës politike të tij. Asgjë dhe askush nuk e shpëton dot Ramën dhe pushtetin e tij të inkriminuar” përfundon deklarata e demokratëve.

Shkarkoni aplikacionin e A2