Presidenti vlerëson Moikom Zeqon me dekoratën “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Në mirënjohje të publicistikës së tij të mprehtë, studimeve shumëdimensionale për gjenezën e Kombit, mbrojtjen e monumenteve dhe identitetit tonë kombëtar, presidenti Meta ka dekoruar me titullin ‘’Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut’’, intelektualin dhe mendimtarin Moikom Zeqo.

“Jam i lumtur që sot i akordoj dekoratën ‘’Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut’’, një personaliteti dhe njëriu të veçantë, një intelektuali të shquar, një zëri të fuqishëm e pene të fortë e të thellë, një ndër shkrimtarët më prodhimtarë të letërsisë tonë, një mendimtari të vyer për Kombin tonë dhe një studiuesi të paepur”, u shpreh gjatë ceremonisë presidenti Meta.

Vetë eruditi Moikom Zeqo ka zgjedhur që falenderimin për këtë çmim dhe ditë të veçantë ta pasurojë edhe me fjalët e heroit tonë kombëtar.

“Më 31 tetor 1461, në një letër autentike të tij, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, me një stil të fuqishëm epigramatik ka shkruar sikur skaliste në bronz edhe këtë shprehje mahnitëse, proverbiale “Unë do të jem mik i virtyteve, por jo i fatit”, tha Moikom Zeqo.

Publicisti është vlerësuar me këtë titull pikërisht në 70-vjetorin e ditëlindjes së tij, në një ceremoni ku ishin të pranishëm diplomat, akademikë e shkrimtarë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN