“Superman me duart akullore”, si u mbrojt Dako dhe si reagoi Rama për përgjimet?

Lajmet për përfshirjen e Vangjush Dakos në përgjime me persona me rekorde kriminale, nuk janë të reja. Deri tani, publikisht, Kryebashkiaku i Durrësit nuk është shfaqur ndonjëherë i shqetësuar. Përkundrazi, strategjia e tij ka qenë e ajo e mbrojtjes me krenari.

Të ndershëm apo kriminelë? Me gojën plot, ai pranon se nuk ka rëndësi se kë takon.

“Nuk ka person në qytetin e Durrësit që unë nuk kam takuar. Merre gjendjen civile tani, më nxirr një familje atje të të them ku banon, ku jeton, sa votues ka dhe për kë voton. Dhe jam njeriu që ia hap telefonin çdo lloj qytetari të Durrësit, mund të ma kalojë Edi Rama për SMS, por për të folur në telefon, s’ka bir k….. që të ma kalojë mua, me aq komunikim sa kam”

Vangjush Dako, emisioni Opinion, tetor 2018

Me kë shtrëngon duart nuk bën dallim, Vangjush Dako beson se të vetat i mbeten të pastra.

“Mua më njofin njerëzit, janë akullore, i shikon këto duar ti, janë akullore, i shikon këto duar, s’kanë prek këto, as drogë, as pistoletë, as lekë të pista”

Vangjush Dako, emisioni Opinion, tetor 2018

Nëse ka njerëz që mendojnë se ai është peng i botës së krimit, vetes kryebashkiaku i Durrësit i njeh një superfuqi.

“S’kam asnjë eskortë politike, jam tek pull vetëm me shoferin tim… Superman jam, po ta them në fushatë jam Superman”

Vangjush Dako, emisioni Opinion, tetor 2018

Si i tillë, gëzonte edhe mbrojtjen e Kryeministrit.

“Flasim për një kryetar bashkie që përmendet në një bisedë mes dy kriminelëve dhe vetë nuk ka asgjë ku të flitet, qoftë edhe për së largu, për blerje apo shitje”

Edi Rama, 12 maj 2019

Më 12 maj të këtij viti, shefi i Qeverisë i krahasonte përgjimet e Dakos me ato të Tahirit.

“Nuk vihen njerëzit në kryq, me muhabete, me fjalime, me televizor, me portale”

Edi Rama, 12 maj 2019

Vetëm një javë më vonë, më 18 maj, Edi Rama foli edhe njëherë për përgjimet. Kishin kaluar vetëm dy ditë nga thirrja e Dakos në Prokurori dhe këtë herë Kryeministri nuk përmendi Durrësin por u fokusua vetëm te rasti i Dibrës, ku po nga Gjermania revista Bild përmendi për herë të parë edhe vetë Ramën si të përfshirë në përgjime.

Shkarkoni aplikacionin e A2