Tension në qiellin e Mesdheut, avioni luftarak rus intercepton atë amerikan

Tension i lartë ushtarak në qiellin e Mesdheut. Një avion luftarak i Rusisë interceptoi një avion amerikan që po fluturonte në hapësirën ajrore ndërkombëtare. Ngjarja është raportuar nga flota e gjashtë e Shteteve të Bashkuara që thekson se mjeti fluturues i Uashingtonit është shqetësuar 3 herë në vetëm 3 orë gjatë fluturimit.

Njëri nga këto afrime në distancë shumë të afërt është cilësuar shumë i rrezikshëm.

“Interceptimi i parë dhe i tretë ishin të sigurtë. Ndërsa i dyti jo, pasi avioni luftarak SU-35 kaloi me shpejtësi shumë të lartë përballë misionit tonë, duke vendosur kështu jetën e pilotëve dhe ekuipazhit në rrezik. Ata raportuan për turbulenca të mëdha pas interceptimit të dytë”.

Flota e Gjashtë, SHBA

Më tej flota amerikane thekson se mjeti i tyre fluturues veproi në respektim të ligjeve ndërkombëtare dhe nuk provokoi aktivitetet e Rusisë. Gjithashtu kërkon nga autoritetet e Moskës që të sillen në bazë të standardeve ndërkombëtare për të garantuar siguri dhe për parandaluar incidente të mundshme. Ndërkaq, muajin e kaluar një avion luftarak amerikan u interceptua nga 4 bombardues rusë dhe 2 avionë të tjerë luftarakë SU-35 në hapësirën ajrore të Alaskës.

Këto veprime mendohen të jenë një stërvitje ushtarake për një krizë potenciale por edhe mesazhe të qarta fuqie për kundërshtarët.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN