Veliaj nis takimet elektorale: Shqiptarët do refuzojnë dhunën e PD

Erjon Veliaj e ka nisur fushatën elektorale për një mandat të dytë për Tiranën, duke u ndalur në njësinë bashkiake numër 2. Edhe pse demokratet nuk garojnë në 30 qershor, akuzat e Erjon Veliajt ranë mbi opozitën jashtë Kuvendit.

“Ata kështu kanë jetuar dhe thonë se po të bëhemi me të gjithë ata që i bëjnë gjërat në kundërshtim me ligjin, që rrahin policët, ndërtojnë pa leje, hedhin plehra, parkojnë mbi trotuar, atëherë jemi shumica. Falë Zotit, shoqëria jonë është emancipuar, shumica nuk hedh plehra, nuk parkon mbi trotuar. Dhe unë besoj se ata do vazhdojnë të humbasin, për sa kohë rrinë me pakicën që i bën bullizëm një shumice, siç është shumica e Tiranës që nuk e ul kokën para asnjë vandali dhe para asnjë rrugaçi”, deklaroi kryebashkiaku i Tiranës.

Veliaj tha se shumica e qytetarëve do të refuzojnë alternativën që sugjeron dhunë në zgjedhje. “Iu ka ngelur ora në 1997. Nuk kanë arritur mendërisht ta kalojnë atë fazë. Mendojnë që sot në vitin 2019, ka akoma shqiptarë që janë gati të futen në depo të armëve dhe të japin jetën për partinë e tyre. A e mendoni diçka të tillë?”, e mbylli fjalimin e tij Erjon Veliaj.

Para banorëve të njësisë 2, Veliaj numëroi disa nga projektet kryesore të zbatuara nga Bashkia e Tiranës.

Shkarkoni aplikacionin e A2