75 vjetori i D-Day, ceremoni përkujtimore në Normandi

“E vetmja fjalë që mund t’iu themi veteranëve, është faleminderit”. Kështu u shpreh kryeministrja Theresa May në ceremoninë me rastin e 75 vjetorit të Zbarkimit në Normandi.

“Këtu në Normandi, ne do të kujtojmë gjithmonë kurajon e tyre, përkushtimin dhe bindjet e tyre. Veteranëve tanë këtu në Normandi, dua t’iu them të vetmen fjalë të mundshme: Faleminderit”, u shpreh kryeministrja May.

Të njëjtat fjalë i përsëriti edhe presidenti francez, Emanuel Macron, i cili iu tha veteranëve të mbledhur në veri të Francës se i detyroheshin lirinë.

“Ne i detyrohemi veteranëve lirinë. Dhe çfarëdo që të ndodhë, ne nuk duhet të dorëzohemi kurrë. Pavarësisht gjithçkaje ne do të qëndrojmë gjithmonë të bashkuar, pasi ky është fati ynë i përbashkët’, deklaroi presidenti francez.

Macron dhe May vizituan zonën e Ver Sur Mer, për të parë vendosjen e gurit të parë për memorialin në homazh të 22442 trupave britanike që u vranë në verën e 1944-s.

Memoriali që sheh mbi plazhin e artë, tregon tre ushtarë teksa avancojnë drejt detit.

Aktivitetet në Normandi nisën me tingujt karakteristikë të gajdes, që shënuan momentin kur ushtarët e parë mbërritën në breg.

Presidenti amerikan Donald Trump mori pjesë në një ceremoni në një varreze të ushtarëve amerikanë në plazhin Omaha. Të pranishëm në ngjarjet përkujtimore ishin edhe princi Charles me Dukeshën e Kornuellit.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN