Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Çamëria nis përfaqësimin ndërkombëtar nga... futbolli

Nga A2 CNN
6 Qershor 2019, 17:36 | Futboll
Çamëria nis përfaqësimin ndërkombëtar nga...

Futbolli, si një mënyrë për t’u ndjerë të përfaqësuar, për ata që nuk njihen nga FIFA dhe UEFA, e mbi të gjitha nga politika. Një turne për krahinat e izoluara ndërkombëtarisht, mes të cilave edhe Çamëria. Debutuese në turneun e organizuar nga CONIFA, Konfederata e Shoqatave të Pavarura të Futbollit, i cili po zhvillohet në krahinën e Artsakh në Armeni.

Parakalim me simbolet shqiptare, flamur me fushë të bardhë, në mes të së cilit është ngjyra e kuqe dhe shqiponja e zezë dykrenore. Uniforma e parë e ekipit është e kuqe, e dyta e bardhë. Njësoj si Kombëtarja shqiptare.

Skuadra përbëhet më së shumti nga lojtarë që aktivizohen në ligat shqiptare. Vetëm njëri prej tyre, Klevis Gjeçi, luan në Francë, ndërsa në ekip kanë edhe një emër legjendar si Marko van Basten, mbiemri i të cilit është Çema.

Vitin e kaluar përfaqësuesja e Çamërisë fitoi aktivitetin Kupa e Suksesshme e Futbollit për Kombet e Papërfaqësuara, ndërsa ky i CONIFA-s është turneu i parë zyrtar ku marrin pjesë.

Çamëria ishte surpriza e turneut. Një skuadër fizike, e cila dallohet për shpirtin luftarak në fushë dhe golat plot klas. Nga thuajse të panjohur për opinionin, ata u kualifikuan në gjysmëfinale dhe synojnë ta fitojnë trofeun.

Ëndrrat janë të mëdha, me skuadrën e drejtuar nga trajneri Ejup Mehmeti, që ecën me besim drejt së ardhmes.

Çamëria ka gjetur mënyrën e saj për të mos harruar. Djem të rinj, të talentuar dhe me vullnet. Të gjithë të lidhur fort me rrënjët e tyre, duke hedhur hapin e parë të vërtetë drejt njohjes së trevës shqiptare, e cila iu aneksua Greqisë në vitin 1913 nga Konferenca e Londrës.

A2 CNN Livestream

Dita jonë