Ilir Ndraxhi për A2 CNN: Mandati është i imi. Nuk i kam takuar kurrë Avdylajt – A2

Ilir Ndraxhi për A2 CNN: Mandati është i imi. Nuk i kam takuar kurrë Avdylajt

Ilir Ndraxhi, emri i të cilit shfaqet në përgjimet e publikuara nga “Bild” me Astrit Avdylajn flet për A2 CNN.

Përmes një komunikimi telefonik, deputeti i PS-së në Shijak hedh poshtë akuzat se ka njohje me grupin Avdylaj. Pas 30 viteve në biznes, vetëm në 2017, me mbështetjen e familjarëve, thotë se vendosi të kandidojë. Por, a ka pasur komunikime personalisht me Astrit Avdylajn?

“Nuk kam folur në asnjë moment me Astrit Avdylajn. Nuk ka pasur ndikim në kandidimin tim. Absolutisht asnjë lloj kontakti me të. Asnjeherë! Asnjë takim personal me të. Ai ka marrë vëllain tim. I ka thënë të lutem ta pranojë kandidimin Iliri sepse e kemi krenari ta kemi në zonë. Unë nuk kam folur me të. Madje, ata kanë qenë në burg e unë nuk e kam ditur që ata kanë dalë në liri. Edhe vëllai u çudit kur dolën përgjimet. Ai ka folur me të, siç ka folur edhe me shumë njerëz të tjerë. 200 apo 500 votat që mund të ketë ai, nuk kanë asnjë ndikim në 8000 vota që unë kisha në zonë falë popullaritetit tim. Isha i katërti në listë. Kam dale deputet nga mbështetja e votuesve të mi”, thotë Ndraxhi.

Ngjarjet e 24 orëve të fundit kanë qenë të vrullshme. A është kontaktuar ai nga Edi Rama apo Vangjush Dako pas publikimit të përgjimit? Deputeti socialist zbulon disa detaje: “Kryetari jo! Edhe me Dakon nuk kam folur dje e sot. Takimin e fundit me të e kisha për Festën e Bajramit, të martën, kur bëmë vizitat fetare. Jemi në fushatë. Diskutuam për 30 qershorin, por jo për përgjimet.”

Prokuroria vijon hetimet prej 2 vitesh për dosjen 339 dhe vetëm prej 24 orësh ka nisur hetim edhe për daljen e sekretit hetimor, duket se nuk ka asnjë thirrje për deputetin e Shijakut. Ai shprehet i hapur në rast se do të kërkonin paraqitjen e tij në organet e drejtësisë. Nuk mendon të njëjtën gjë për mandatin e deputetit. Ai nuk është i gatshëm ta lëshojë atë, pasi pretendon se nuk ka asnjë lidhje me grupin Avdylaj.

“Unë kam punuar në zonë. Si deputet kam bërë çfarë kam mundur për banorët e zonës time elektorale. Mandati nuk është dy vjet. Është katër. Ne do të tregojmë forcën tonë më 30 qershor”, tha Ndraxhi.

Deputeti Ilir Ndraxhi u përmend në pergjimet audio të publikuara nga “Bild”, ku Astrit Avdylaj fliste në telefon me vëllain e deputetit për ta futur atë në listat e kandidatëve. Për të nderuar Edi Ramën e “për t’i dhënë një fitore 10 me zero”.

Shkarkoni aplikacionin e A2