Kolegji Zgjedhor merr vendimin për komisionerët e opozitës në zgjedhje

Kolegji Zgjedhor vendosi të mbajë në fuqi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për moslejimin e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për regjistrimin e komisionerëve zgjedhorë pranë Komisioneve Zonalë të Administrimit Zgjedhor më 30 qershor.

Në seancë, PD u përfaqësua nga Ivi Kaso, ndërsa LSI nga Muharrem Caka, të cilët thanë gjatë seancës se u është mohuar një e drejtë ligjore. “Kodi parashikon qartë: në nenin 29 të Kodit Zgjedhor ku thuhet se në rastin e zgjedhjeve vendore, renditja përcaktohet mbi bazën e numrit të votave të fituara në shkallë vendi për këshillat vendor në zgjedhjet pararendëse nga partitë parlamentare”, tha Kaso.

Ndërsa Caka shtoi: “KQZ ka veshur syzet politike duke thënë se në s’jemi parti parlamentare. Se i kujt është kujtim Gjuzi dhe dhe Ylli Shehu, na thoni. Vendimi i KQZ është i paligjshëm dhe i pabazuar në kodin zgjedhor”.

Ndërsa përfaqësuesi i KQZ tha se Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk janë subjekte zgjedhore, pasi nuk janë regjistruar.

Shkarkoni aplikacionin e A2