Kryeministri Rama në Cërrik: PS me gabime, por prapë më e mira – A2

Kryeministri Rama në Cërrik: PS me gabime, por prapë më e mira

Kryeministri Edi Rama këmbëngul se në 30 qershor do të ketë zgjedhje. Mungesa e votimit, sipas tij, do t’i hapte rrugë precedentit të shkeljes së Kushtetutës.

“Kjo do të thotë t’i hapësh rrugë një historie që nuk mbaron më. Sot e bëjnë ata, nesër e bën dikush tjetër, e pasnesër dikush tjetër. Kështu, zgjedhjet kthehen nga e drejta e popullit për të gjykuar kur ia jep Kushtetuta, në të drejtën e partive për të luajtur më Kushtetutën si ‘top lecke’”, tha Rama.

Përballë nuk do të ketë PD dhe LSI, por nuk pranon se është pa kundërshtarë.

“Kjo është një betejë e madhe politike dhe historike me kundërshtarët e zgjedhjeve. Kjo është një betejë për t’i dhënë fund një herë e mirë politikës së talljes me njerëzit, me ligjin, me rregullat”, tha Rama.

Nga Cërriku, edhe një herë, Kryeministri tha se arsyeja pse opozita është jashtë Kuvendit dhe jashtë zgjedhjeve është frika nga drejtësia dhe përballja me votën. “Frika nga zgjedhjet, frika nga drejtësia. Kemi shumë për të bërë, shumë për të korrigjuar, por ama më të mirë se ne, as ka pasur dhe as nuk ka”, u shpreh Edi Rama nga Cërriku.

Shkarkoni aplikacionin e A2