Mjekët braktisin Shqipërinë, 150 largime çdo vit, Gjermania, shteti më i pëlqyer – A2

Mjekët braktisin Shqipërinë, 150 largime çdo vit, Gjermania, shteti më i pëlqyer

Shqipëria po përballet me eksodin më të madh të punonjësve të shëndetësisë.  Çdo vit 150 mjekë të rinj, por dhe me përvojë largohen për të punuar, kryesisht në Evropë.

Urdhri i mjekut, institucioni që lëshon certifikatën e sjelljes, tregon se vetëm në tre vitet e fundit kanë lënë shërbimin shëndetësor rreth 500 mjekë, nga 6 mijë që janë në të gjithë sistemin.

Gjermania është vendi më i pëlqyer dhe me numrin më të lartë të mjekëve shqiptarë jashtë vendit.

“Njeh të gjitha diplomat, certifikatat dhe kualifikimet, me kërkesën e vetme për të njohur gjuhën gjermane me shkrim dhe të folur në nivele të mira. Vetëm në Gjermani punojnë rreth 520 mjekë shqiptarë deri tani, po ashtu janë edhe në vende të tjera si Itali, Angli apo SHBA”, deklaroi Fatmir Brahimaj, presidenti i Urdhrit të Mjekut.

Pagesat e larta të mjekëve jashtë vendit, nuk janë e arsyeja e vetme e boshatisjes së spitaleve në Shqipëri

“Jo vetëm vlerësimi material, por sipas studiuesve, mjekët duan kushte të mira për të bërë mjekësi të mirë”, shtoi Brahimaj.

Përballë kësaj krize, më e ndjeshme në rrethe, Ministria e Shëndetësisë po plotëson mungesat me mjekë nga Tirana si dhe duke ofruar programe stimulese.

“Janë më shumë se 130 mjekë që janë punësuar në spitalet bashkiake dhe spitalet rajonale duke plotësuar atë vakum që ishte krijuar nga mungesa e specializimeve për shumë vite. Por sigurisht të dy programet edhe programi i bonusit dhe ai i patronazhit vijojnë të jenë dhe të zbatohen në këto spitale, sidomos në spitale bashkiake, të cilat ende kanë mungesa”, tha ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu.

E ndërsa gjermanishtja po bëhet gjuha më e kërkuar nga studentët e Mjekësisë, për ata që duan të punojnë këtu, duhet të aplikojnë  brenda datës 15 qershor në portalin “Mjekë për Shqipërinë”.  

Shkarkoni aplikacionin e A2