Përgjimet e publikuara nga “Bild”, Meta: Urdhri i Prokurorisë intimidon median e lirë

Presidenti i Republikës, është shprehur i shqetësuar nga përgjimet e publikuara në revistën gjermane “Bild” të telefonatave mes zyrtarëve në Qarkun e Durrësit dhe personave me precedentë kriminalë, gjatë procesit të zgjedhjeve të vitit 2017.

Në një reagimi publik, kreu i Shtetit shpreh shqetësim të thellë edhe për sa i përket urdhrit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda që i kërkon medias të mos i publikojë këto përgjime.

Presidenti e cilëson këtë urdhër si intimidues ndaj medias së lirë, ç’ka është e papranueshme për një shoqëri demokratike, thekson ai. Presidenti nënvizon gjithashtu se Kushtetuta mbron të drejtën themelore të qytetarëve për informim, si dhe garanton lirinë e shprehjes dhe atë të shtypit, ndërsa ndalon censurën paraprake të mjeteve të komunikimit.

“Asnjë urdhër nuk mund të ketë autoritet mbi këtë të drejtë themelore kushtetuese të medias së lirë e të pavarur”, deklaron Presidenti i Republikës.

Nga ana tjetër, ai inkurajon Prokurorinë të hetojë me përparësi dhe paanësi këtë dosje dhe çdo dosje tjetër që ka të bëjë me manipulimin e zgjedhjeve. “Rikthimi i besimit te zgjedhjet e lira dhe të ndershme është vendimtar jo vetëm për bashkëjetesën tonë të shëndetshme demokratike si shoqëri, por edhe për çeljen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian sa më pare”, përfundon deklarata e Presidentit Meta.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN