Prokurori i “Shullazit” dhe ai i 613 kg kokainë dalin para KPK

Prokurorët e Krimeve të Rënda, Ened Nakuçi dhe Edvin Kondili, kandidatë për Prokurorinë e Posaçme AntiKorrupsion, të njohur si SPAK, dolën të enjten para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Për prokurorin Nakuçi, KPK konstatoi probleme të lehta me pasurinë, ndërsa Kondili rezultoi i pastër në të tre kriteret.

Në hetimin e pasurisë së prokurorit Ened Nakuçi, Komisioni vërejti mungesë të dokumentimit të disa borxheve, gati 10 mijë euro në total, të marra tek familjarët e tij, si edhe mosdokumentimin e burimit të një shume prej 5600 euro.

Prokurori Nakuçi, i njëjti që përfaqësoi shtetin në gjyqin kundër Emiliano Shullazit dhe grupit në Shkallën e Parë të Krimeve të Rënda, mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës. KPK nënvizoi si joetik një episod të vitit 2016, ku prokurori ishte denoncuar për largim nga vendi i një aksidenti të lehtë të shkaktuar prej tij, ku ai ishte kthyer disa minuta më vonë. Komisioni theksoi edhe largimin e beftë të prokurorit drejt Italisë, pak para leximit të pretencës në dosjen “Shullazi” tek Krimet e Rënda, largim i justifikuar nga prokurori më një raport 45-ditor për arsye shëndetësore.

Duke iu referuar një çështje ku Nakuçi kishte vendosur mosfillim procedimi penal dhe një hetimi të pushuar, vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jacobs, tha se në to kishte mangësi të akteve të shkruara. Prokurori Nakuçi tha se në hetimet proaktive, për arsye kohe, një pjesë e urdhrave për veprime hetimore jepen verbalisht.

Në seancën pasardhëse, prokurori i çështjes së 613 kilogramëve kokainë të bllokuar në Durrës, Edvin Kondili, i hetuar për të tre kolonat e vettingut, nuk u konstatua të kishte asnjë problematikë. Ai mori karton jeshil për justifikimin e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Verdikti përfundimtar i vettingut për prokurorët Nakuçi e Kondili pritet të shpallet të premten.

Shkarkoni aplikacionin e A2