Publikimi i përgjimeve, nën hetim prokurorë dhe OPGJ

Katër prokurorë të Krimeve të Rënda, përfshi edhe ata që kanë nën hetim dosjen 339, janë të dyshuar për nxjerrjen e sekretit hetimor.

I gjithë serveri i prokurorisë dhe oficerët e policisë gjyqësore që janë marrë me zbardhjen e CD-ve të përgjimit do të hetohen për dekonspirim të hetimit.

4 prokurorë të dosjes 339, përfshirë edhe ata që kanë çështjen nën hetim, do të hetohen për nxjerrje të sekretit hetimor. Prokuroria e Krimeve të Rënda do të nisë verifikimin për mënyrën e rrjedhjes së informacionit për dosjen 339.

Prej vitit 2016, prokuroria nisi hetimet për çështjen në fjalë dhe prokurori i saj ishte Anton Martinj, i cili e mbajti dosjen në hetim deri në tetor të viti 2017. Me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm, Anton Martinaj, u detyrua ta lerë çështjen për t’u emëruar kundër vullnetit të tij si kryeprokuror i rrethit Shkodër.

Në krye të hetimeve për 339 do të vihej Besim Hajdarmataj. Ish prokurori i Krimeve të Rënda do ta hetonte këtë dosje deri në momentin e transferimit të tij, si prokuror i Pogradecit. Dosja voluminoze, e cila mësohet se ishte hetuar nga një prokuror dhe një oficer i policisë gjyqësore, për shkak të volumit iu caktua dy prokurorëve Lad Mara dhe Dritan Prençi, si dhe një grupi të madh OPGJ-ësh. Në listën e të dyshuarve janë edhe këta të fundit.

Mësohet së Prokurorja e Krimeve të Rënda ka bërë një mbledhje me grupin e hetimit si dhe ka nisur verifikimin e serverit brenda institucionit për të parë se nga kush janë dubluar CD-të me përgjimet e zyrtarëve të lartë që janë në hetim, si dhe mënyra si ato janë marrë nga zyrat e prokurorëve. Gazetari gjerman i tabloidit “Bild” pranoi se përgjimet telefonike janë siguruar nga burime pranë grupit të hetimit.

Shkarkoni aplikacionin e A2