Shtyrje të zgjedhjeve për 6 muaj?! Ndoka: Meta, personazh që merr vendime të guximshme

Aleatët e Partisë Demokratike i kërkuan këtë të enjte Presidentit Meta që të shtyjë për 6 muaj zgjedhjet lokale.

Nard Ndoka, kryetari i Partisë Demokristiane, pjesë e grupit të partive që i bënë këtë thirrje Presidentit, ishte “I Ftuari” i Endri Xhafos. Ai u shpreh se beson se zgjidhja politike mund të vijë nga Presidenti Meta dhe sipas tij, kreu i shtetit njihet për vendime të guximshme.

“Ne nuk kemi një president që komandohet nga politika, por me eksperiencë dhe në drejtimin e shtetit. Padiskutim që ai e ka demonstruar përgjegjësinë e tij për t’i dhënë zgjidhje kësaj krize. Unë shoh te institucioni i Presidentit të jetë i fokusuar te jeta politike e vendit, pa u bërë aktor i saj. Meta është një personazh që merr vendime të guximshme dhe këtë e ka bërë edhe në karrierën e tij të mëparshme”, tha Ndoka.

Në situatën aktuale ku ndodhet vendi, Ndoka thotë se Presidenti mund të marrë çdo lloj vendimi pasi vendi është pa Gjykatë Kushtetuese.

“Për hir të realitetit, këtu vetëm në bazë të ligjit nuk operohet, nuk ka Gjykatë Kushtetuese. Presidenti mund të marrë çdo lloj vendimi, mund të nxjerrë çdo lloj dekreti dhe nuk ka kush ta kontrollojë dhe pengojë. Ndoshta kjo krizë zgjidhet duket u shumëfishuar. Unë gjykoj që është një mundësi për zgjidhjen e kësaj përplasjeje. Mund të themi se jemi jo në një përplasje politike, pasi politika e ka mbaruar. Tashmë është një përplasje qytetare dhe ky mund të jetë një moment shumë i rrezikshëm”, tha Ndoka.

Shkarkoni aplikacionin e A2