23 ditë para zgjedhjeve, Veliaj dëmshpërblen 155 familje të përmbytura në kohën e Bashës

Tre javë para zgjedhjeve, Erion Veliaj dëmshpërblen banorët e përmbytur që nga koha e Lulzim Bashës.

155 familje të njësisë 11 në zonën e Bregut të Lumit, shumica ndërtime pa leje, do të përfitojnë ndihmë financiare për dëmet që u shkaktoi dalja e lumit vite më parë. Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, kryetari në detyrë dhe kandidati për mandatin e dytë, komunikoi vendimin për këto familje.

Veliaj paralajmëroi se nuk do të ketë bllokim projektesh pavarësisht protestave. Kreu i bashkisë u kërkoi banorëve që preken nga projekti i zgjatimit të Lumit të Tiranës të lirojnë gradualisht shtëpitë.

Për katër vitet e ardhshme, Veliaj premtoi transformimin e pallatit të sportit “Asllan Rusi” dhe stadiumit “Dinamo” duke zbatuar projekte të ngjashme me atë të Arenës Kombëtare. E ndërsa ka nisur fushatën për mandatin e dyte, Erion Veliaj komentoi dhe protestën e radhës se opozitës

“Edhe dy tre fundjava do të kemi nga xhiroja e Voltanës që do të hedhë molotov dhe të vijë me këmbë në kokë. Ky është vendimi i tyre, ne synojmë të zbukurojmë Tiranën”, tha Veliaj.

Ndërsa me një vendim jashtë radhe, mazhoranca e Këshillit Bashkiak të Tiranës, në mungesë të opozitës miratoi financimin e 100 milionë lekëve për ndërtimin e 4 shtëpive të dëmtuara nga tërmeti në fshatin Floq të Korçës.

Shkarkoni aplikacionin e A2