Ceremonitë për D-Day, Putin: Nuk e kam problem që nuk më ftuan

Presidenti rus Vladimir Putin nuk e ka problem që nuk u ftua për t’iu bashkuar udhëheqësve të tjerë botërore me rastin e 75-vjetorit të zbarkimeve në Normandi.

“Kam boll punë në Rusi”, komentoi numri 1 i Kremlinit, pak pasi qeveria e tij tha se D-Day nuk kishte pasur një rol të madh në rrjedhën e historisë. Sipas Ministrisë së Jashtme ruse, roli i D-Day në rezultatin e luftës nuk duhej të mbivlerësohej.

Moska luftoi kundër forcave gjermane për gati tre vjet para nisjes së operacionit në Normandi, që çoi drejt çlirimit të Evropës Perëndimore nga Gjermania naziste. Rusia shpesh e akuzon Perëndimin se nuk e vlerëson siç duhet rolin e Bashkimit Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore.  

Liderët botërorë, përfshirë Presidentin amerikan Donald Trump, morën pjesë në ceremonitë përkujtimore të së enjtes në Normandi, për t’u bërë homazh trupave aleatë të cilat sulmuan forcat gjermane në brigjet e Francës veriore, në operacionin më të madh tokësor dhe detar në histori.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN