Dosja 339, Rama: ‘Zbulimet’ i çuan te partia, shantazh ndaj qeverisë – A2

Dosja 339, Rama: ‘Zbulimet’ i çuan te partia, shantazh ndaj qeverisë

“Dosja 339 është përdorur për të shantazhuar qeverinë”.  Këtë i tha Edi Rama banorëve të Urës Vajgurore në fushatën e së premtes.

Duke e quajtur të vonuar reagimin e kreut të Krimeve të Rënda, Donika Prela, Rama la të kuptohej se prokurorët e çështjes i kanë servirur në tryezë kundërshtarit politik dosjen.

“Me shumë vonesë, për fat të keq. Por ka shpjeguar ekzaktësisht arsyen pse këto zbulime të mëdha. Dëgjojeni dhe lexojeni kush janë personat që i kanë mbajtur në sirtar të gjitha këto zbulime dhe të cilët patjetër njëri nga ata, dy apo të gjithë bashkë i kanë çuar te partia për t’i përdorur për politikë, për të shantazhuar këtë qeveri dhe këtë shumicë”, u shpreh kryeministri Rama.

“Për përgjimet e kazanit”, duke iu referuar pa emër Bild, numri një i socialistëve duket se Vangjush Dakon ia ka lënë drejtësisë ta hetojë. Thumbin me këtë rast nuk e mbajti as për ish ministrin e Transporteve, Lulzim Bashën.

“Ne gjithmonë e kemi bërë të qartë ndarjen, drejtësia ka punën e vet. Luli, Luli kërkon revolucion moral. Luli, se nuk po flas për atë tjetrin, atë plakun e marrë që Lulin e ka një nga kokrrat e tespijeve të tij.

Dhe më e bukura është që ai që i udhëheq këto procese gjyqësore publike nuk është një person i dyshuar, por i akuzuar dikur kur ishte ministër”, shtoi kreu i qeverisë.

30 qershorin nuk e luan askush. E megjithatë shefi i Selisë Roze foli pak për kandidaten e Urës Vajgurore, për gjerë e gjatë u mor me opozitën. Këtë të fundit, nuk e shpëtoi dot nga akti i vetëflijimit politik, njësoj si dy vite më parë.

“Herën e fundi i shpëtuam. Këtë herë nuk i ndaluam dot të vrasin veten politikisht”, e mbylli fjalën e tij Edi Rama para banorëve të Urës Vajgurore.   

Shkarkoni aplikacionin e A2