Investitorët e huaj: Klima për biznesin, e rënduar

Sipërmarrësit e huaj janë shumë pesimistë për klimën e biznesit në vend dhe ecurinë e ekonomisë. Shoqata e Investitorëve të Huaj ka prezantuar rezultatet e vëzhgimit për mjedisin e biznesit, bazuar në anketa me kompani të rëndësishme në fushën e energjisë, shërbimeve financiare, industrisë, naftës, telekomunikacionit etj.

Situata gjatë gjysmës së parë të vitit ka qenë jo e favorshme sipas tyre për të bërë biznes, ndërsa edhe pritshmëritë për pjesën e mbetur të vitit janë të dobëta, veçanërisht për zhvillimin e ekonomisë shqiptare.

Problemet më të mëdha që shqetësojnë kompanitë e huaja janë monopolet dhe konkurrenca e padrejtë, korrupsioni, burokracitë qeveritare dhe ekonomia informale. Konstatime që ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, e pranishme në eventin e prezantimit, i konsideron të drejta.
“Kush është shqetësimi i tyre kryesisht? Është që rregullat e lojës të jenë të qarta dhe informaliteti të ulet. Ky është dhe objektivi ynë, prandaj gjetëm një dialog të mirë dhe një partneritet të frytshëm mes të dy palëve, në mënyrë që ta çojmë këtë projekt përpara”, deklaroi ministrja Denaj.

Kryefinancierja njoftoi edhe nismën e Ministrisë për kryerjen e të gjitha pagesave të bizneseve në mënyrë elektronike brenda vitit 2021, një projekt që synon të ulë informalitetin dhe të përmirësojë klimën e marrëdhënieve me sipërmarrjen.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN