Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 100%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 0%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Meta: I angazhuar maksimalisht, nuk do të lejoj destabilizim

Nga A2 CNN
7 Qershor 2019, 22:07 | Politikë
Meta: I angazhuar maksimalisht, nuk do të lejoj destabilizim

Presidenti i Republikës Ilir Meta dha një intervistë për Deutsche Ëelle gjatë qëndrimit të tij në Berlin ku mori pjesë në “Mëngjesin e Lutjeve”

Kreu i Shtetit gjatë kësaj interviste foli për zhvillimet e fundit politike, publikimin e përgjimeve, protestën e opozitës dhe mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve. Sipas Ilir Metës, gjatë takimeve që ka zhvilluar me politikanë të ndryshëm në Gjermani ka marrë mbështetjen për çështjen e hapjes së negociatave edhe pse vendi është në një situatë jofavorizuese.

“Të gjithë përfaqësuesit e fraksioneve parlamentare që kam takuar, si të CDU/CSU apo edhe të SPD dhe grupeve të tjera, janë pozitivë për sa i takon mbështetjes për çeljen e negociatave për Shqipërinë. Sigurisht që situata politike në Shqipëri është një situatë jofavorizuese, por është e rëndësishme gjithashtu që ata në mënyrë mjaft të sinqertë kanë treguar vullnetin edhe për të ndihmuar në kapërcimin e këtij ngërçi dhe në dhënien e një kontributi për të vendosur një dialog politik sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që Shqipëria ta kapi këtë moment të rëndësishëm historik” tha presidenti Meta.

Për çështjen e përgjimeve të publikuara nga gazeta gjermane “Bild” kreu i shtetit deklaroi se nuk kanë qenë pjesë e bisedimeve me zyrtarët në Berlin, por sigurisht që ka diskutuar me ta për pritshmëritë për sundimin e ligjit, e cila nënkupton dhe ndëshkimin e atyre që kanë cënuar zgjedhjet.

“Kjo nuk ka qenë aspak një temë në bisedat e mia, për sa i takon çfarë është pasqyruar në media të caktuara në Gjermani. Por natyrisht ka qenë temë angazhimi i vendosur për të përmbushur të gjitha pritmëritë në fushën e sundimit të ligjit, dhe së dyti rëndësia e jashtëzakonshme që kanë standardet demokratike të zgjedhjeve në Shqipëri, dhe kuptohet edhe ndëshkimi i gjithë personave përgjegjës apo të dyshuar për cënimin e integritetit të zgjedhjeve në të kaluarën”, u shpreh Meta.

Kreu i shtetit gjithashtu foli dhe për mundësinë e shtyrjes së datës së zgjedhjeve, sipas Metës vendi ka treguar se kur ka ekzistuar vullneti janë gjetur zgjidhje të mençura. Meta u shpreh se do të jetë gjithmonë gati për të kontribuuar në zgjidhjen e krizës.

“Ne i dimë edhe përvojat e mëparshme që vendi ynë ka pasur kur ka ekzistuar vullneti dhe përgjegjshmëria për stabilitetin e vendit, për të ardhmen e tij demokratike dhe plotësisht europiane, gjithnjë janë gjetur zgjidhje të mençura. Dhe në këtë drejtim unë nuk do të ndaloj së angazhuari institucionin e presidentit dhe natyrisht personalisht deri në fund për të shmangur çdo alternativë që nuk i shërben jo vetëm stabilitetit të vendit por edhe e largon në horizonte të padukshme mundësinë e çeljes së negociatave apo anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, tha Meta.

A2 CNN Livestream

Dita jonë