Meta nga Berlini: Bundestagu, rol kyç për integrimin e Shqipërisë – A2

Meta nga Berlini: Bundestagu, rol kyç për integrimin e Shqipërisë

Gjatë vizitës së tij në Berlin, Presidenti Meta është takuar edhe me përfaqësues të grupeve parlamentare kryesore në Bundestag, për të diskutuar lidhur me perspektivën europiane të vendit dhe veçanërisht për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian sa më parë.

Në një njoftim për mediat, Presidenca bën të ditur se në takimin që pati me Nënkryetarin e Grupit Parlamentar CDU/CSU, z.Johann Wadephul dhe Raporterin për Shqipërinë për CDU/CSU në Komisionin e Jashtëm, z.Christian Schmidt, ku u diskutua mbi perspektivën e çeljes së negociatave të anëtarësimit, Presidenti Meta vlerësoi angazhimin e tyre si dhe gatishmërinë për të ndihmuar në kapërcimin e krizës dhe për rivendosjen urgjent të dialogut politik.

“Presidenti Meta u takua gjithashtu me Zëdhënësin për Politikën e Jashtme të Grupit Parlamentar SPD në Komisionin e Politikës së Jashtme, z.Nils Schmid, të cilin e falënderoi për mbështetjen për çeljen e negociatave të anëtarësimit dhe në tërësi për procesin e integrimit europian. Kreu i Shtetit zhvilloi një takim të veçantë dhe me deputeten e CSU, Raportere për Shqipërinë në Komisionin e BE-së në Bundestag, znj.Katrin Staffler me të cilën gjithashtu bisedoi mbi perspektivën e çeljes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me BE”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Shkarkoni aplikacionin e A2