Në Siberinë e largët, zbulohet popullsia e panjohur që mund të ndryshojë parahistorinë

Përditësuar më: 13/6/2019, ora 15:19
siberia 1024x614

Në Siberinë e largët, zbulohet popullsia e panjohur që mund të ndryshojë parahistorinë

Përditësuar më: 13/6/2019, ora 15:19

Në një zonë pothuajse të pabanuar të Siberisë verilindore, që pjesën më të madhe të kohës mbulohet nga dëbora dhe ku temperaturat jo rrallë kalojnë  -40 gradë celsius, disa shkencëtarë kanë zbuluar gjetje të një grupi njerëzor të ri dhe të panjohur më parë.

Sipas studiuesve të Universitetit të Kopenhagën, që kanë botuar gjetjet e hulumtimeve në revistën Nature,  njerëzit e panjohur kanë jetuar në zonën e largët të Rusisë, afër lumit Yana, rreth 40 mijë vite më parë, kur zona ishte më e ngrohtë dhe e populluar nga gjitarë të mëdhenj dhe po ashtu të zhdukur, si rinocerontët dhe mamuthët.

Gjetjet mund të ndryshojnë historinë e deritanishme për lëvizjet demografike në parahistori.

Vendndodhja e zbulimit

Për shembull, deri më tani mendohej që popullsia e indianëve të Amerikës kishte shtegtuar pikërisht nga këto zona, duke kaluar të paktën 15 mijë vjet më parë ngushticën e Beringut, që në atë kohë ishte mbuluar me akull, për të mbërritur në Alaskë dhe zbritur ndër mijëra vjet kontinentin amerikan.

Por nga studimi në fjalë, popullsia misterioze e gjetur së fundmi nuk i ngjan gjenetikisht indianëve të Amerikës, duke vënë në pikëpyetje versionin deri më tani zyrtar të asaj pjese të largët të historisë njerëzore, që shihte paraardhësit e Indianëve të Amerikës si banorët e parë të Siberisë.