Reja: Luajmë për të fituar. Grezda? Nuk është çështje

Ndaj Islandës për të fituar. Ky është objektivi i trajnerit Edi Reja i cili kërkon t’i imponojë besim skuadrës se mund t’ia dalë në Rekjavik. Tekniku italian ka zgjedhur të mos zbulojë asgjë sa i përket 11 lojtarëve që do të zbresin në fushë.

“Nuk do të rrimë prapa. Do shohim nëse kjo punë e bërë do jetë e suksesshme. Filozofia është të luajmë futboll, jo të mendojmë të futemi në fushë për të marrë një pikë. Ata kanë lojtarë të rëndësishëm, sidomos në goditjet standarde. Dua që skuadra të futet në fushë me bindjen për të fituar”.

Tekniku italian flet edhe për çështjen Grezda, i cili u largua nga grumbullimi.  “Nuk ka një çështje, nuk është për këto dy ndeshje. Ai e mori këtë vendim dhe përgjegjësia është e tij. Ne e kemi në plane. Për këto dy ndeshje ai vendosi të mënjanohej. Do ulemi sërish të diskutojmë dhe të rivendosim një raport”, deklaroi Reja.

Sipas mbrojtësit Elseid Hysaj, i cili ndaj Islandës do të mbajë shiritin e kapitenit, skuadra ndihet më e fortë dhe ka më shumë besim me ardhjen e trajnerit Reja.

Shqipëria përballet me Islandën në ndeshjen e tretë të kualifikueseve të Euro 2020, në orën 15:00.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN