Tarifat tregtare/ SHBA kërkon më shumë, Meksika dërgon ushtrinë

Shtëpia e Bardhë nuk tërhiqet nga kërcënimi i saj.

“Ia kemi bërë të qartë Meksikës se tarifat do të hyjnë në fuqi dhe jam serioz dhe i lumtur për këtë”, tha Presidenti amerikan, Donald Trump.

Ndërsa Mercedez Schlapp, drejtoreshë e komunikimit e Shtëpisë së Bardhë theksoi: “Ajo që Meksika po ofron nuk është e mjaftueshme. Duhet të bëjë më shumë”.

Liderët nga të dy anët e kufirit pranojnë se një marrëveshje e minutës së fundit është e mundshme.

Presidenti meksikan Andres Manuel Lopez Obrador tha: “Ne jemi të kujdesshëm në rezultatin e bisedimeve dhe jam optimist. Besoj se mund të arrijmë një ujdi. Po dëgjojmë opinionin e të gjithëve”.

Ndërkohë, Mike Pence, zv/presidenti amerika u shpreh: “Ne i bëmë një rekomandim të qartë atyre. Ka pasur disa lëvizje dhe kjo na jep kurajo”.

Garda Kombëtare Meksikane do të vendoset në kufi në përpjekje për të limituar emigracionin. Mijëra emigrantë janë arrestuar apo kthyer mbrapsht në kalimet kufitare vetëm muajin e kaluar. Dogana amerikane dhe rojet kufitare theksojnë se ka një rritje me 32% që prej prillit.

Carla Provost, Patrulla Kufitare Amerikane, deklaroi: “Ky ishte numri më i madh që kemi hasur në një dekadë. Shumica e tyre theksojnë se vijnë këtu për arsye ekonomike. Shumë pak kërkojnë azil”.

Ndërkohë, afati për vendosjen e tarifave po skadon. Pence theksoi: “Meksika duhet të bëjë më shumë për t’i dhënë fund emigracionit ilegal që po shqetëson kufirin tonë jugor”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN