Meksika shmang tarifat, Trump: Arritëm ujdi, masa të forta ndaj emigracionit

Meksika arrin të shmangë tarifat e rënda tregtare. Njoftimi është bërë nga vetë Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili shprehet i kënaqur me ujdinë e negociuar me shtetin fqinj.

Sipas marrëveshjes, Meksika është zotuar të ndërmarrë hapa të paprecedentë për të luftuar emigracionin e paligjshëm.

“Kam kënaqësinë t’ju informoj se Shtetet e Bashkuara nënshkruan një marrëveshje me Meksikën. Tarifat që do implementoheshin të hënën janë pezulluar. Meksika është dakordësuar të ndërmarrë masa të forta për të frenuar valën e emigracionit përmes vendit dhe në kufirin tonë jugor”, tha Trump.

Ujdia është konfirmuar edhe nga autoritetet meksikane. Ministri i Jashtëm, Marselo Ebrard thotë se vendosja e Gardës Kombëtare në pikat kufitare kryesore ka bindur Uashingtonin të rrëzojë kërcënimin e vendosjes së tarifave. 6 mijë ushtarë janë dërguar në zonat më të prekura nga emigracioni i paligjshëm i personave që vijnë kryesisht nga Amerika Qendrore.

Ujdia e minutës së fundit erdhi për shkak të kërcënimit të Trump për vendosjen e tarifës 5% për të gjitha mallrat e importuara nga Meksika.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN