Meta anulon 30 qershorin në protestën e 8 të opozitës, Rama: Plan i bërë me kohë

Opozita e Lulzim Bashës në protestën e tetë kombëtare, Kryeministri Rama në Berat duke hapur fushatën zgjedhore dhe presidenti Ilir Meta hedh hapin e tij menjëherë pas kthimit nga Berlini, duke anuluar dekretin që përcaktonte mbajtjen e zgjedhjeve vendore më 30 qershor. Meta rendit disa arsyetime dhe i pari është domosdoshmëria për ç’tensionimin urgjent të situatës dhe të rrezikut të përshkallëzimit të paparashikueshëm të konfliktit në vend.

Meta thotë se këtë hap e hedh për shkak të përgjegjësisë Kushtetuese dhe për t’iu përmbajtur betimit për ruajtjen me çdo kusht të stabilitetit, paqes sociale dhe unitetit kombëtar. Kushte aktuale, sipas presidentit, nuk mundësojnë zgjedhje të vërteta demokratike përfaqësuese e gjithëpërfshirëse.

Me votime një partiake minohet çdo mundësi për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, dëmtohet imazhi si vend anëtar i NATO-s dhe cenohet kryesimi i OSBE-në për vitin 2020; thotë presidenti, i cili fton aktoret vendas e ndërkombëtare të bashkojnë kontributet konstruktive për rivendosjen urgjent të dialogut të pazëvendësueshëm politik dhe për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë dhe që i shërben të ardhmes evropiane të Shqipërisë.

Argumentet shterues kushtetues për anulimin e datës së zgjedhjeve, Presidenti thotë se do t’i publikojë ditën e hënë. Ai i bëri thirrje opozitës që protesta të zhvillohet në mënyrë tërësisht paqësore. Në mbyllje edhe Presidenti bën tirrje për Shqipërinë si gjithë Europa…

21:31 – Basha, thirrje “kupolës” socialiste: Largoni Ramën, merrni kontrollin e partisë

21:28 – Basha: Përpjekje për dhunë ndaj protestuesve, dështuan

21:17 – Para mbështetësve të mbledhur në oborrin e selisë së PD, Basha u shpreh: “Orët e tiranisë po marrin fund, ora e Shqipërisë si gjithë Europa po troket dhe nuk ka forcë ta ndalë. Ju shpreh sot mirënjohjen më te thellë që fjalët nuk e përkufizojnë dot për këtë pjesëmarrje gjigande, të paparë. Shenjë e qartë e shumicës dërrmuese shqiptare që janë të vendosur për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zëri i sovranit nuk mund të injorohet”.

21:05 – Protesta është tensionuar me mbërritjen e turmës para Parlamentit ku janë hedhur gurë e kapsolla, ndërsa Policia është kundërpërgjigjur me ujë me presion. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi është përpjekur të largojë protestues të maskuar që hidhnin gurë në drejtim të forcave të policisë. Ndërsa Policia është kundërpërgjigjur duke hedhur gaz lotsjellës.

21:00 – Opozita te Parlamenti, Meta bën thirrje: Ndalni protestën

Pasi mori vendimin për anulimin e datës 30 qershor të zgjedhjeve, Presidenti Ilir Meta ka reaguar sërish mbrëmjen e sotme, këtë herë me një thirrje ndaj opozitës.

Presidenti i kërkon udhëheqësve të opozitës të ndalojnë protestën para Parlamentit dhe qytetarët të shpërndahen paqësisht.

Edhe në këtë protestë të tetë kombëtare, protestuesit u nisën drejt Parlamentit, po ashtu si edhe në protestat e tjera, menjëherë pas fjalës së Bashës.

20:35 – Edhe protesta e tetë e opozitës ka të njëjtin itinerar. Pasi kreu i PD, Lulzim Basha mbylli fjalën e tij, i kërkoi protestuesve të nisen drejt Parlamentit, po ashtu si edhe në protestat e mëparshme të opozitës.

20:10 – Basha: Anulimi i datës së zgjedhjeve nuk është fundi i betejës sonë

“Ashtu siç e keni dëgjuar, falë vendosmërisë suaj të pathyeshme, Presidenti i Republikës ka marrë vendimin për anulimin e 30 qershorit, datës së planifikuar nga regjimi i bandës së Edi Ramës, për të ekzekutuar krimin e shëmtuar elektoral, për të kapur përmes një procesi monist. Kjo është vetëm rezultat i forcës suaj të pathyeshme, i qëndresës suaj, besimit tuaj të palëkundur te vlerat europiane, të lirisë, demokracisë, dinjitetit njerëzor”, tha Basha. 

19:41 – Shfuqizimi i datës së zgjedhjeve, Kryemadhi: Kam dy javë që nuk e kam takuar Metën

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, tha se nuk ka ndikuar te bashkëshorti i saj, njëherësh Presidenti i Republikës, për vendimin e tij të beftë për të anuluar datën e zgjedhjeve.

19:34 – Reagon Rama: E prisja, plan i bërë me kohë

Kryeministri Rama ka reaguar nga Berati në lidhje me shfuqizimin e datës së zgjedhjeve nga Presidenti Meta. Rama u shpreh se e priste një vendim të tillë. Ai e vlerëson si një plan të bërë me kohë.

19:24 – Presidenti Meta anulon 30 qershorin

Presidenti Ilir Meta shfuqizon datën e zgjedhjeve duke anuluar datën 30 qershor për mbajtjen e tuyre. Përmes një deklarate për mediat, Presidenti bëri të ditur vendimin e tij, duke shprehur shqetësim për situatën e krijuar në vend, ku asnjë prej palëve politike nuk po bën hapa pas.

19:10 – Basha vijon të qëndrojë në selinë e PD. Ndërsa protestës së sotme pritet t’i bashkohet edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e cila mungoi në protestën e fundit për shkak të problemeve shëndetësore.

19:00 – Mësohet se për të siguruar mbarëvajtjen e protestës janë angazhuar 1300 efektivë policie. Në ndryshim nga protestat e shkuara, numri më i madh i efektivëve të policisë janë dislokuar pranë parlamentit.

19:40 – Improvizimi i protestuesve: “Rama dhe Dako në qelinë 339!”

18:32 – PD: 70 mijë qytetarë drejt Tiranës

Sipas zyrës së shtypit të Partisë Demokratike, rreth 70 mijë qytetarë janë nisur nga rrethet pasditen e sotme në drejtim të Tiranës, për t’u bërë pjesë e protestës së tetë të opozitës.

***

Opozita mban sot protestën e 8 kombëtare për largimin e Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie tranzitore.

Tubimi i sotëm vjen pas publikimit të përgjimeve nga revista gjermane “Bild”, ç’ka ka sjellë ashpërsim të toneve mes palëve. Lulzim Basha shprehet i vendosur se nuk do të bëjë asnjë hap pas, duke theksuar se “Bild”, konfirmoi akuzat e hershme të opozitës se zgjedhjet e 2017-ës, u blenë me paratë e krimit.

Për këtë çështje, socialistët u fokusuan më shumë te nxjerrja e sekretit hetimor, ç’ka solli dhe nisjen e hetimeve nga Prokuroria.

Diten e sotme, PD ka informuar Policinë e Shtetit për protestë/marshim deri në orën 23:59, ndërsa policia ka dhënë leje për mbajtjen e tubimit vetëm për 120 minuta. Të angazhuar do të jenë rreth 1300 punonjës policie për të mbikëqyrur protestën.

Skenari pritet të jetë i njëjtë si në protestat e tjera ku qytetarët do të protestojnë fillimisht para Kryeministrisë dhe më pas do të marshojnë drejt Parlamentit. Po ashtu, mësohet se në protestë do të përdoren forma të ndryshme për të ironizuar edhe vizualisht qeverinë pas publikimit të përgjimeve nga gjermania “Bild”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN