Rama: Opozita nuk po lufton krimin zgjedhor, por po i bën shantazh Reformës në Drejtësi – A2

Rama: Opozita nuk po lufton krimin zgjedhor, por po i bën shantazh Reformës në Drejtësi

Kryeministri Edi Rama, në një takim elektoral në Skrapar, foli sërish për përgjimet e publikuara nga “Bild”, duke thënë se hetimet “duhet të ishin kryer me kohë e me vakt”, por, sipas tij, nuk janë kryer sepse “nuk bëhet fjalë për luftë kundër krimit zgjedhor, por shantazh kundër reformës në drejtësi, qeverisë dhe PS-së”.

“Siç e keni parë e dëgjuar dje nga prokurorja e Krimeve të Rënda, nuk bëhet fjalë për luftë kundër krimit zgjedhor, por shantazh kundër reformës në drejtësi, qeverisë dhe PS-së që është e vetmja forcë që e mbështet Reformën në Drejtësi”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se disa “prokurorë me shumë hije në karrierë kanë preferuar që në vend që të hetojnë, të mbledhin llumrat, t’i bashkojnë në një kazan dhe ta dorëzojnë kazanin te PD-ja me synim për të ndotur Shqipërinë”.

“Dhe kur? Kur Shqipëria pret që t’i hapet dera për anëtarësim në BE. Unë nuk jam nga ata që gjëra të tilla të rënda në dëm të vendit t’i pagëzoj me emrin “strategji antishqiptarësh”. Nuk është problem që e bëjnë apo s’e bëjnë me vetëdije maskaradën kundër Shqipërisë, rëndësi ka që ajo që bëjnë është e patolerueshme dhe për këtë arsye asnjë shqiptar nuk duhet kurrsesi të mbështesë ata. Ka dy rrugë: ose të shkojë në zgjedhje për të konfirmuar se Shqipëria nuk merret dot peng me maskarallëqe, ose të qëndrojë larg atyre që po kërkojnë në Shqipëri individë të dëshpëruar për t’i hedhur si mish për top kundër zgjedhjeve”, u shpre kreu i qeverisë.

Shkarkoni aplikacionin e A2