Zgjedhjet e 30 qershorit, Rama: Jo pa kundërshtar, por me më të rrezikshmin – A2

Zgjedhjet e 30 qershorit, Rama: Jo pa kundërshtar, por me më të rrezikshmin

Ndërsa para Kryeministrisë ka nisur protesta e tetë kombëtare e opozitës, Edi Rama është duke vijuar fushatën zgjedhore.

Pasditen e sotme, Kryeministri është ndalur në Berat, nga ku iu drejtua qytetarëve se zgjedhjet e 30 qershorit nuk janë pa kundërshtar, por me më të rrezikshmin.

“Zgjedhjet e 30 qershorit kanë një rëndësi të veçantë. Janë zgjedhje me kundërshtarin më të rrezikshëm. Janë edhe më të rëndësishme sepse do të vendoset një vijë e qartë ndarëse mes të ardhmes për të cilën ne punojmë çdo ditë dhe të shkuarës që ata e mishërojnë sa herë që hapin gojën dhe duke na krijuar një situatë tërësisht të papranueshme. Ata kanë frikë nga zgjedhjet dhe për këtë arsye bërtasin. Ata i tremben gjykimit të njerëzve dhe kërcënojnë njerëzit se nuk do të votojnë. Ata janë të destinuar të humbin, ndërsa ne jemi në mision për të fituar, jo për vete, por për Shqipërinë që duam”, tha Rama. Ai kujtoi edhe deklaratën e bërë paraditen e sotme nga Zëvendës Ndihmës-Sekretari i Shtetit në SHBA, Matthew Palmer.

“Të gjithë e keni dëgjuar sot prononcimin e qeverisë amerikane: Zgjedhjet e 30 qershorit nuk ka asgjë që i tund dhe kush do të guxojë t’i prekë do të shkundet nga rrënjët. Nuk besoj se do të gjenden shumë budallenj që të shkojnë pas atyre që kërkojnë njerëz për të sulmuar zgjedhjet. Unë jam i bindur se në fund do të fitojë arsyeja dhe PS”, tha Rama.

Shkarkoni aplikacionin e A2