8000 vetë në garën e varkave në Venecia

Garues nga çdo cep i globit morën pjesë në një prej kompeticioneve më të veçanta në Venecia, Vogalonga. 8 mijë pjesëmarrës, si profesionistë ashtu edhe amatorë, mbushën kanalet e Venecias në maratonën e varkave me rrema, e krijuar në vitin 1987 për të rritur ndërgjegjësimin mbi problemin e valëve që kërcënojnë qytetin lagunë.

Përgjatë viteve, numri i varkave dhe i garuesve është rritur ndjeshëm, dhe çdokush mund të zgjedhë të marrë pjesë në kompeticion me lloje të ndryshme varkash me rrema. Turistë dhe banorë u mblodhën në kanalet mahnitëse të Venecias për të shijuar rrezet e diellit dhe për të bërë tifo për ekipet e preferuar në varkat shumëngjyrëshe.

Mjetet e lundrimit me motor përfaqësojnë 95% të trafikut ujor të Venecias dhe dallgët e krijuara prej tyre, u shkaktojnë probleme varkave të vogla duke kërcënuar seriozisht godinat dhe morfologjinë delikate të qytetit. Javën e kaluar përplasja mes një kroçiere dhe anije turistësh shkaktoi disa të plagosur dhe riktheu thirrjet për ndalimin e mjeteve të mëdha lundruese pranë bregut.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN