Anuloi zgjedhjet, Meta: Procesi zgjedhor fiktiv dhe farsë, rrezik real për tension

Pasi tërhoqi dy ditë më parë dekretin për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, Presidenti Ilir Meta doli në një konferencë për mediat mëngjesin e sotëm, për të dhënë arsyet e këtij vendimi.

Meta u shpreh se zgjedhjet nuk mund të jenë një ditë përçarje. Ai tha se Kushtetuta i jep të drejtën vetëm Presidentit të caktojë datën e zgjedhjeve.

“Jam sot para jush për shfuqizimin e dekretit për datën 30 qershor për zgjedhjet lokalet. Presidenti i Republikës është i vetmi organ që mund të vendosi datën e zgjedhjeve. Kushtetuta përcakton se Presidenti përcakton datën e zgjedhjeve. Sipas Kushtetutës, pa pasur një datë nga Presidenti, zgjedhjet nuk mund të zhvillohen. Partitë politike të opozitës nuk janë regjistruar për zgjedhjet lokale. Zgjedhjet nuk mund të jetë një ditë përçarje. Kjo ka bërë që jeta politike parlamentare të pësojë një krizë përfaqësimi. Shqipëria po kalon edhe një krizë kushtetuese. Së fundmi edhe Gjykata e Lartë ka dalë jashtë funksioni”, tha Meta.

“Ekziston rreziku real që Shqipëria mund të shkojë drejt tensionit social dhe si kreu i shtetit e konsideroj këtë si rrezik serioz. Detyra primare kushtetuese e Presidentit është të garantojë unitetin e popullit. Organizimi i zgjedhjeve të lira është baza e një shoqërie demokratike. Realizimi i zgjedhjeve lokale, pa garë dhe pa pjesëmarrjen e opozitës, është problematik.”

Ndër të tjera, Meta u shpreh se data tjetër për zgjedhjet lokale do të përcaktohet me dakordësinë e palëve.

“Shfuqizimi i dekretit nënkupton shtyrjen e zgjedhjeve për një datë tjetër. Anulimi i zgjedhjeve është mjeti i vetëm emergjent për gjetjen e një zgjidhje. Shtyrja e tyre do të shërbejë si nxitje për dialog. Nuk ka pengesa nga pikëpamja kushtetuese. Caktimi i një date tjetër për zgjedhjet lokale do të bëhet me dakordësinë e palëve”, u shpreh Meta.

Presidenti Meta pasi firmosi dekretin

Para nënshkrimit të dekretit, Meta tha se “fton të gjithë aktorët e përgjegjshëm vendase për dialog në gjendje të një zgjidhje të shpejtë për të ardhmen europiane të Shqipërisë”.

Fjala e plotë Presidentit Meta

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN