Bylykbashi: Precedenti i harruar që i jep të drejtë Presidentit Meta

Me anë të një statusi në “Facebook”, ish-deputeti i Partisë Demokratike shkruan se vendimi i Presidentit Meta për të anuluar 30 qershorin si datë zgjedhjesh vendore, ka një precedent që shpëtoi zgjedhjet në vitin 2005.

“Listat e zgjedhjeve të vitit 2000 ishin krejtësisht të manipuluara. 600 mijë emra (25%) të listës prej 2,4 milionë zgjedhësish‎ ishin të dubluar dy apo më shumë herë dhe 150 mijë prej tyre ishin rekorde fantazmë, të falsifikuar, që nuk figuronin fare në regjistrat e gjendjes civile. 100 zonat zgjedhore njëemerore për zgjedhjet për Kuvendin‎ e vitit 2001 u hartuan mbi bazën e kësaj liste zgjedhësish të manipuluar. Rezultati ishte një harte zonash zgjedhore e manipuluar rëndë ku në jug të Shqipërisë, ku PS ishte e fortë, një mandat merrej deri edhe me 40% më pak vota se në veri, duke i dhënë avantazh në tavolinë PS kundër opozitës. Njësoj siç PS bëri me hartën e ndarjes territoriale në 2014 për të fituar avantazh në hartën e bërë mbi tavolinën e PS.

Reforma 2002-2003 konstatoi këtë deformim të rëndë të standardeve të zgjedhjeve dhe me marrëveshjen e PS dhe PD të 17 majit 2003 u ra dakord që zonat zgjedhore për zgjedhjet e 2005 të ribëheshin. Por në nëntor të vitit 2004, mazhoranca e ‎PS ndërpreu njëanshmërisht procesin e hartimit konsensual të 100 zonave të reja zgjedhore sepse vendosi të mbante zonat e vjetra dhe të shfrytëzonte avantazhin. Opozita, si kundërpërgjigje bllokoi në dhjetor 2004 miratimin e amendamenteve të reformës zgjedhore të viti 2004.

Kriza politike që u nxeh shpejt, u zgjidh me një marrëveshje në ditët e fundit të dhjetorit 2004. PS dhe PD ranë dakord, me negocim të OSBE, që ligji i 100 zonave zgjedhore të shfuqizohej pa miratuar një ligj të ri që ta zëvendësonte. Në janar 2005, Parlamenti shfuqizoi ligjin duke krijuar vakum jo vetëm në legjislacion, por në vetë sistemin zgjedhor që 100 mandate i zgjidhte me zona njëemerore dhe 40 mandate i zgjidhte me lista proporcionale. Kuvendi caktoi muajin mars 2005 si afat për ligjin e ri.

Kjo krijoi një vakum gjigand ligjor sepse pa këtë ligj mungonte baza ligjore për 71% të mandateve të Kuvendit. Pa këtë ligj, dhe pa një ligj të ri, zgjedhjet e korrikut 2005 nuk mund të zhvilloheshin dhe askush nuk kishte garanci që ligji i ri do te miratohej përpara zgjedhjeve.

Pra, VULLNETI POZITIV POLITIK i palëve politike për të bërë zgjedhje me standarde demokratike ishte ‎thelbësor që të arrihej marrëveshje dhe ligji i ri të plotësonte boshllëkun jo thjesht ligjor që shkaktoi Kuvendi, por me pasojën kushtetuese të mosmbajtjes së zgjedhjeve.

Por atëherë, Kryeministër dhe kryetar i PS ishte Nano, që bënte marrëveshje, dhe jo Rama që kur i bën marrëveshjet, i shkel dhe mburret se është i zoti t’ua hedhë ‎të tjerëve. Romakët e lashtë që zbatonin parimin “pacta sunt servanda” (marrëveshjet zbatohen”, shkeljen e marrëveshjes e quanin paburrëri dhe i dërgonin ushtrinë atij që e shkelte.

Në mars 2005 u miratuan me konsensus 100 zonat e reja zgjedhore në Kuvend, zgjedhjet u zhvilluan, ndodhi rotacion demokratik paqësor dhe kriza e dhjetorit 2004. Por precedenti që Kuvendi vendosi duke krijuar një boshllëk ligjor për të çuar në zgjidhje të përbashkët për zgjedhje demokratike dhe që sot i hapi rrugën Presidentit është aty, edhe pse askush nuk e ka përmendur deri më sot ndoshta edhe pse nuk e mban mend”, shkruan Bylykbashi. Më tej, Bylykbashi shkruan se “të gjithë sot kanë detyrimin të punojnë për zgjedhje demokratike, të lira dhe të ndershme, cilësi që votimet e 30 qershorit nuk do t’i arrinin kurrë”. “Topi për të garantuar zgjedhje demokratike, te lira e të ndershme apo t’i çojë shqiptarët në konflikt është në fushën e ‎Ramës. Nëse, ne konsultim me çunat e bandave ai zgjedh konfliktin, përgjegjësinë do ta mbajë për kohë të gjatë. Sepse zgjedhjet janë për zgjedhësit që të zgjedhin, dhe jo për Ramën që të marrë apo mbajë pushtetin”, mbyllet postimi i Bylykbashit.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN