Hyseni: Presidenti ka shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën

Deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni deklaroi për A2 CNN se “Presidenti i Republikës ka shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën” duke çdekretuar datën e zgjedhjeve vendore.

“Një segment i këtij shteti ka dalë nga binarët, ka tejkaluar Kushtetutën duke nxjerrë një dekret për anulimin e datës së zgjedhjeve. Kuvendi është organi nga i cili burojnë të gjithë organet e tjera, përfshirë Presidentin. Kuvendi ka potencën më të madhe dhe mundësinë për të ndërhyrë sa herë që një nga organet e tjera tenton të shkelë Kushtetutën. Në këtë fokus, Kuvendi, nëpërmjet rezolutës do të përcaktojë qëndrimin e tij”, deklaroi Hyseni.

Sipas deputetit socialist, “parimi i zgjedhjeve të lira nuk shkelet dot as nga Presidenti dhe as nga Kuvendi”.

“Nuk e përcakton Presidenti klimën që u dashka për t’u bërë zgjedhjet. Faktorët që punojnë kundër integrimit të vendit nuk munden që të sabotojnë rrugën e pandalshme të Shqipërisë. Presidenti ka shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën”, shtoi Hyseni.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN