
Rrezikohet të kthehet në një çështje diplomatike trajtimi që i është bërë mbrëmë Kombëtares së Turqisë në Islandë, ku do të ndeshjet me ekipin vendas për eliminatoret e Evropianit të vitit të ardhshëm.
Sipas lojtarëve turq, Burak Yilmas dhe kapitenit Emre Belozoglu, ekipi ka qëndruar në pritje për më shumë se tri orë në aeroport për kontrollin e pasaportave, madje të gjithë lojtarëve iu janë kontrolluar imtësisht dhe bagazhet me motivin për arsye sigurie.
Skandali thellohet dhe më tepër me gjestin e një personi që hiqej si gazetar, i cili i ka afruar kapitenit turk një furçë dhëmbësh, gjatë intervistës, sikur të ishte mikrofon.
I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i Ankarasë zyrtare me ministrin e Jashtëm Cavusoglu i cili e cilësoi si të papranueshme pritjen e skuadrës përfaqësuese, si në rrafshin diplomatik ashtu edhe atë humanitar.
“Nuk ka dyshime që do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme”, tha Cavusoglu duke paralajmëruar dhe një notë proteste përmes ambasadës së Ankarasë në Norvegji.
Kombëtarja turke dhe ajo islandeze ndodhen në një grup eliminator me Shqipërinë.