Kosova fitore historike, mund Bullgarinë në Sofje!

Përfaqësuesja e Kosovës ka shënuar sot një fitore historike dhe një hap domethënës drejt kualifikimit në kampionatin evropian.

Ekipi i drejtuar nga zvicerani Bernard Challandes ka triumfuar ndaj një ekipi me përvojë si ai bullgar, duke i mundur me rezultatin 2-3 në Sofje.

Kosova, edhe pse me shumë mungesa si Zeneli, Berisha dhe Shala, fillojnë mirë ndeshjen dhe kalojnë në avantazh me anë të Rashicës, në minutën  ’14.

Bullgarët reagojnë dhe në fund të pjesës së parë gjejnë barazimin me anë të Popov (43’).

Pjesa e dytë flet mirë për vendasit, me Dimitrov që me kokë në minutën ’55 gjen golin e avantazhit që përmbys rezultatin.

Reagimi i Rashicës dhe shokëve të tij nuk mungon, dhe falë një aksioni të tij në minutën ’64 sulmuesi Muriqi gjen me kokë një barazim të artë për kosovarët, që shndërrohet në ”platin” kur në minutën e fundit Elbasan Rashani gjen rrjetin po me kokë, po nga një asist të Rashicës, në një nga ndeshjet më të mira të karrierës.   

Me tre pikët, Kosova merr fitoren e parë në grup, dhe me 5 pikë ngjitet në vendin e tretë, një më pak se Republika Çeke dhe gjigandët anglez.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN