KQZ e ndarë; Zguri braktis mbledhjen, Biba: Dekreti i Metës i pavlefshëm

Denar Biba, anëtar i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve tha se dekreti i Presidentit Meta për shfuqizimin e dekretit të mëparshëm për caktimin e 30 qershorit si datë e zgjedhjeve vendore, është i pavlefshëm.

“Ai ka diskrecion të caktojë vetëm një datë brenda periudhës zgjedhore dhe jo të mos caktojë një datë zgjedhjes. Pasi sot Shqipëria është pa një datë zgjedhjesh”, tha Biba, i cili kishte thërritur mbledhjen e KQZ bashkë me kolegun Bledar Skënderi. “Presidenti me vetëdije refuzon të zbatojë detyrimet kushtetuese. Akti i pavlefshëm nuk sjellë asnjë pasojë juridike. Ai konsiderohet që nuk ekziston”.

“KQZ ka detyrë të vijojë me organizimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. KQZ ka detyrimin, jo të drejtën, të vazhdojmë punën për të çuar shqiptarët që në 30 qershor që të shkojnë të votojnë për të zgjedhur të tyre lokalë. Ne kemi detyrim t’jua mundësojmë këtë”.

Momenti i largimit te kreut të KQZ, Klement Zguri.

Më parë, Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, u largua nga mbledhja e KQZ, e thërritur nga dy anëtarët e saj Denar Biba dhe Bledar Skënderi.

“Kemi një dekret të Presidentit dhe kjo është një situata e pazakontë. Në perceptimin tim duket si një lloj sfide. Një dekret që çdekreton datën e zgjedhjeve përmes një dekreti, dhe nga ana tjetër një mbledhje e thërritur nga dy kolegët e mi, me një rend dite të përcaktuar. Ka një hierarki. Nuk më ka rastisur në 22 vite të vihet në diskutim një dekret i Presidentit”.

“Gjërat nuk shkuan siç ne mendonim, dhe jemi përballë këtij fakti. Nuk dua të gjykoj veprimin e Presidentit, nuk e diskutoj a është i ligjshëm apo jo. Ne nuk jemi gjykatë, KQZ zbaton dekretin. Kërkesa ime për ta çuar drejt subjekteve zgjedhore, refuzohet. Për mua kjo është normale, por nuk është fare esenciale. Shpresoj të ketë vetëpërmbajtje. Respektimi i ligjeve dhe hierarkisë duhet të jetë ajo që të na udhëheqë. Nuk i futem brendisë. Refuzoj, sepse nuk është KQZ kompetente për këtë. A mundemi ne si KQZ , institucion inferior me Presidentin, a mund të mos e vlerësojmë? Unë personalisht nuk e gjej mundësinë që të drejtoj këtë mbledhje të KQZ. Nuk është debat për KQZ. Për të qenë i qetë vetë, jam i detyruar të çohem, dhe koleget ta zhvillojnë vetë mbledhjen”, u shpreh Zguri.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN