Kryesia e PD-së: Të krijohet Aleanca Qytetare, për të mbrojtur rendin demokratik dhe kushtetues

Në orën 18:00 Basha zhvilloi një takim me aleatët, ndërsa një orë më vonë ka thërritur një mbledhje të kryesisë së partisë.

Kryesia vendosi t’i propozojë Këshillit Kombëtar nesër krijimin e Aleancës  qytetare për mbrojtjen e demokracisë në çdo bashki. Kreu i PD-së Basha ka përsëritur qëndrimin e tij se nuk ka negociata me Edi Ramën.

Krijimi i Aleancës vendoset në kuadër të intensifikimit të aksionit politik për të ndaluar mazhorancën për zhvillimin e zgjedhjeve me 30 qershor.

Sipas Kryesisë së PD-së “kjo Aleancë do të krijohet si bashkim qytetar dhe intelektual, që do të ndërgjegjësojë qytetarët për rrezikun që po i kanoset demokracisë në vend dhe marrjen e të gjitha masave për të mbrojtur rendin demokratik dhe kushtetues”.

Ndër të tjerat, Kryesia ka diskutuar edhe intensifikimin e aksionit ne çdo qytet kur Rama ka takim elektoral apo prezantim kandidatësh.

Më herët, përmes sekretarit Gazment Bardhi, PD reagoi për deklaratat e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilët e quajtën të pavlefshëm dekretin e Presidentit Meta, për shfuqizimin e datës 30 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve vendore.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN