Palmer në Beograd, zyrtari i SHBA: Mbështesim dialogun, taksa të hiqet

Dialogu Kosovë-Serbi ishte në epiqendër të vizitës së zëvendës ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Mathew Palmer në Beograd. Pas takimit me presidentin Aleksandër Vuçiç, ai tha se SHBA mbështet bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian.

Palmer ritheksoi edhe njëherë se taksa e vendosur nga Kosova duhet të hiqet pasi pengon dialogun mes dy vendeve.

 “Ne biseduam për dialogun dhe mënyrat për të ecur përpara. Mbështesim normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës dhe e konsiderojmë të rëndësishëm për të hapur rrugën e Serbisë dhe Kosovës për anëtarësim në BE. Ne dëshirojmë që taksa të hiqet dhe të lejohen palët të rikthehen në tavolinën e negociatave”, tha Palmer.

Ndërsa nga ana tjetër, Vucic paralajmëroi se taksa 100% e Kosovës mund të bëjë që të dështojë takimi i Parisit, i planifikuar për në 1 korrik.

“Ne jemi gati për takimin, por nuk mendoj se duam të dëgjojmë sërish dikë të thotë se nuk do të pezullojë taksën. E rëndësishme është që të bashkëpunojmë me Gjermaninë dhe Francën për të ruajtur paqen dhe stabilitetin”, deklaroi Vucic.

Takimi i organizuar nga presidenti Emmanuel Macron dhe Kancelarja Angela Merkel u përshëndet dhe nga Palmer. Zyrtari amerikan u shpreh i bindur se synimi i përbashkët, për të luftuar për një zgjidhje do të çojë palët drejt një marrëveshjeje.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN