Papa kritika Evropës: Portet e mbyllura për njerëzit, duart e hapura për armët

Papa Françesku lëshon akuza të forta ndaj shteteve evropiane. Duke folur në një event për Kishat Orientale, Ati i Shenjtë vendosi theksin tek hapja e dyerve për njerëzit në nevojë dhe tha se zemërimi i Zotit do të bjerë mbi ata që flasin për paqe, por nga ana tjetër shesin armë.

“Thërrasin personat e grumbulluar në anije, në kërkim të shpresës, pa e ditur se cilat porte mund t’i presin në Evropë, që i hap portet për ngarkesat me armatime të kushtueshme dhe të sofistikuara, të afta për të prodhuar shkatërrime që nuk kursejnë as fëmijët”, tha Papa Françesku.

Kreu i Vatikanit tha më tej se dëshiron që vitin tjetër të bëjë një udhëtim për në Irak. Ndërsa flet edhe për Sirinë. “Ata që nuk kanë ushqim, kura mjekësore, shkolla, jetimët dhe të plagosurit dhe vejushat duhet të ngrenë zërin. Nëse janë të pandjeshme zemrat e njerëzve, nuk është ajo e Zotit, e cila është plagosur nga urrejtja dhe dhuna që mund të përhapet mes krijesave të tij”, u shpreh Ati i Shenjtë.

Ndër të tjera, Papa Françesku bën thirrje për të shmangur krizat e mëdha humanitare në Lindjen e Mesme dhe kërkon që të bëhet çdo gjë për shuarjen e konflikteve. 

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN