Procedura e shkarkimit të Presidentit, nga kërkesa te komisioni hetimor, deri në votim

Shkarkimi i Presidentit në Parlament nuk është një akt i shpejtë që mund të kryhet sa hap e mbyll sytë. Rregullorja e Kuvendit, në nenin 112 të saj, detajon një procedurë të gjatë, që duhet ndjekur hap pas hapi.

Gjithçka nis me paraqitjen e kërkesës me shkrim të 1/4 së deputetëve, drejtuar kryetarit të Kuvendit, bashkë me motivimin e shkeljeve të pretenduara të Presidentit.

Me të marrë propozimin, kryeparlamentari njofton Kuvendin dhe vetë Presidentin. Kërkesa i paraqitet Komisionit të Ligjeve që brenda 15 ditëve duhet t’i paraqesë Kuvendit raportin bashkë me mendimin nëse duhet ngritur një komision hetimor apo jo.

Brenda 7 ditësh Kuvendi duhet të zhvillojë seancë me debat mbi këtë raport. Nëse ai pranohet, brenda dy ditësh duhet të ngrihet një komision hetimor në lidhje çështjet për të cilat akuzohet Presidenti. E gjithë kjo procedurë deri këtu mund të marrë deri në 3 javë kohë.

 Në përfundim të hetimit, për të cilin Rregullorja nuk parashikon një afat maksimal kohëzgjatjeje, komisioni hetimor duhet t’i paraqesë Kuvendit në mënyrë të arsyetuar nëse ekzistojnë shkaqet për shkarkimin e Presidentit të Republikës.

Më pas Kuvendi shqyrton raportin e komisionit hetimor në një seancë të veçantë brenda 20 ditëve nga paraqitja e tij. Presidenti ka të drejtën të dëgjohet gjatë të gjitha këtyre hapave, edhe në seancë plenare. Për shkarkimin e Presidentit të Republikës Kuvendi vendos me jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij, pra 94 vota dhe me votim të fshehtë.

Vendimi i Kuvendit për shkarkimin e Presidentit i dërgohet më pas Gjykatës Kushtetuese, e cila ka edhe fjalën e fundit.

Shkarkoni aplikacionin e A2