Protestat në Hong Kong, udhëheqësja Lam refuzon thirrjet e qytetarëve

Duke folur për gazetarët të martën, ajo theksoi se ligji ishte i nevojshëm dhe se të drejtat e njeriut do të mbroheshin

Nuk heqim dorë nga plani për të lejuar ekstradimet drejt Kinës. Udhëheqësja e Hong Kong-ut Carrie Lam i përgjigjet kështu qindra mijëra protestuesëve që dolën në shesh për të kundërshtuar projektligjin, me frikën se ai do të lejojë Kinën të shënjestrojë kundërshtarët politikë në rajon.

Carrie Lam, udhëheqësja e Hong Kong-ut

 “Projektligji nuk u kërkua nga Pekini. Ne nuk duam të shpërfillim opinionet e shoqërisë por Hong Kongu duhet të shkojë përpara. Ka disa mangësi dhe probleme në sistemin tonë, sa i përket krimeve përtej kufirit”, deklaroi Lam.

Media shtetërore vlerësoi se fuqi të huaja qëndronin pas protestave. Sipas organizatorëve në manifestimet e së dielës morën pjesë rreth 1 milion njerëz, ndërsa policia thotë se kishin qenë vetëm 240 mijë.

Nëse shifrat e organizatorëve janë të sakta, kjo mund të jetë protesta më e madhe në Hong Kong që kur territori iu dorëzua Kinës nga Britania e Madhe në 1997-tën. Të paktën tre efektive dhe një gazetar mbetën të plagosur në manifestimet e së dielës që përshkallëzuan shpejt në dhunë. 

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN