PS depoziton kërkesën për mocionin kundër Metës

Ashtu siç kishte paralajmëruar, Partia Socialiste ka dorëzuar pranë Kuvendit kërkesën zyrtare për një mocion me debat lidhur me dekretin e Presidentit për shfuqizimin e dekretit të mëparshëm për caktimin e 30 qershorit si datë për mbajtjen e zgjedhjeve vendore.

Kërkesa është depozituar nga kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla. Për të caktuar datën e zhvillimit të mocionit dhe kohën e debatit, PS kërkon një mbledhje të konferencës së kryetarëve, të martën, në orën 09:00

“Pasi u njohëm me aktin e paprecedentë të Presidentit të Republikës për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore” dhe duke e vlerësuar atë si një akt absolutisht të pavlefshëm, të marrë në kapërcim të kompetencave të institucionit të Presidentit dhe në kundërshtim flagrant me parimet kushtetuese dhe demokratike si dhe duke konsideruar se ky akt synon të pengojë në mënyre të kundërligjshme realizimin e së drejtës kushtetuese të shtetasve shqiptarë për të

zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor, bazuar në nenin 98 të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë zhvillimin e një mocioni me debat në seancën më të parë të Kuvendit për këtë çështje, në përfundim të së cilit propozojmë miratimin e një rezolute sipas draftit bashkangjitur”, thuhet në kërkesën e depozituar nga PS.

Shkarkoni aplikacionin e A2