“Të humbasësh babain dhemb më shumë sesa të humbasësh ndeshjen”. Shpjegohet ftohtësia e Kawhi Leonard

Kawhi Leonard njihet si një nga basketbollistët më të mirë të botës. Këtë e tregoi gjatë 7 viteve të tij te San Antonio Spurs dhe po e tregon këtë vit edhe te Toronto Raptors, ekipi që është vetëm një fitore larg për t’u shpallur kampion në NBA.

Një nga karakteristikat e tjera të tij është dhe sjellja që ndryshon kryekëput nga yjet e tjerë të basketbollit amerikan. Kawhi është një nga lojtarët që tregon më pak emocionet e tij dhe që nuk i dëgjohet zëri. Nuk ka rëndësi nëse shënon 3-pikësh, gabon një gjuajtje të lehtë apo e godasin me bërryl. Ai qëndron i heshtur gjithmonë.

Gazetarët pyesin çdo lojtar të Torontos për personalitetin e yllit të ekipit dhe për marrëdhënien që kanë me të. Por, serioziteti që ai ka nuk është i shtirur. Nuk është as taktikë për të përballuar konkurrencën. Thjesht është jeta që e ka bërë të tillë këtë basketbollist. Në 18 janar 2008 i vrasin babanë kur po punonte në lavazh. Kurrë nuk u mësua arsyeja e vrasjes dhe kush ishte vrasësi. Në vitin 2014 familja e quajti të humbur betejën për të gjetur drejtësi dhe vendosi të mos kishte më shpresë te autoritetet.

Kur ndodhi fatkeqësia, Kawhi ishte vetëm 16 vjeç. Çfarë bëri ditën tjetër? Luajti basketboll me skuadrën e tij të kolegjit. Shënoi 17 pikë dhe në fund të ndeshjes përqafoi nënën e tij me lot në sy.

Tre vite më vonë do të hynte në NBA dhe në vitin 2013 humbi titullin kampion me San Antonio Spurs, pasi gaboi një gjuajtje të lirë që nëse do ta shënonte, do të mbyllte ndeshjen. Por, kjo gjë nuk ia uli vetëbesimin aspak.

“Humbja e babait më përgatiti për çdo gjë që mund të më ndodhte në jetë. Të gabosh një gjuajtje të lirë nuk është aq e dhimbshme sa fatkeqësia që kam kaluar”, deklaronte Kawhi pasi u kthye nga pushimet po atë vit.

Sezonin pasardhës do të fitonte titullin me Spurs duke u shpallur lojtari më i mirë i Finaleve. Tani kërkon ta përsërisë këtë gjë edhe me Toronto Raptors, me gjakftohtësinë e tij, heshtjen e tij dhe kujtimin e babait, që gjithmonë do t’i tregojë se çfarë është me të vërtetë e rëndësishme në jetë.

Shkarkoni aplikacionin e A2