“The Guardian”, shkrim për Edi Ramën: Kryeministri që kërkon t’i shpëtojë “mallkimit të historisë”

Gazeta britanike “The Guardian” i ka dedikuar një shkrim kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ku thekson se “ai kërkon të jetë njeriu që do të vendosë vendin e tij në rrugën anëtarësimit në BE, por ka përballë dy probleme të mëdha: populizmin evropian dhe protestat e opozitës”.

“The Guardian” shkruan se “në Evropë, liderët e lodhur nga zgjerimi nuk pranojnë lehtë anëtarë të rinj në një kohë kur po rriten ndjenjat populiste, ndërsa në shtëpi ka demonstrata të përjavshme kundër qeverisjes së tij nga opozita që e akuzon qeverinë për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar”.

Në një intervistë për gazetarin Shaun Walker, kreu i qeverisë tha se futja në BE për Shqipërinë do të thotë që “më në fund të kemi mundësinë që ta vendosim veten në një zonë të sigurtë nga mallkimi i historisë”.

“Ne kemi qenë Koreja e Veriut e Evropës. Ishim të izoluar nga Perëndimi dhe nga Lindja. Kemi pasur regjimin më të egër komunist. Prandaj sot jemi kaq pro SHBA-së, NATO-s dhe BE-së. Kemi myslimanët më pro evropianë në botë”, tha Rama për “The Guardian”.

Por, pavarësisht dëshirës së madhe për t’iu bashkuar BE-së, Rama shprehu edhe shqetësimin për faktin se si do të jetë gjendja e unionit kur Shqipëria të pranohet një ditë.

“Duket sikur jemi të mallkuar sepse kur BE-ja ishte mirë, ne ishim keq; tani që ne po përmirësohemi, BE-ja po futet në telashe”, tha Rama.

Shkarkoni aplikacionin e A2